Komediania amerikane Kathy Griffin ka hedhur akuza ndaj prezantuesit Jimmy Fallon, duke pretenduar se është përjashtuar nga emisioni i famshëm “The Tonight Show”, pasi konsiderohet “shumë e papërshtatshme” ose “shumë kontroverse”.

Në një video të publikuar në Instagram, 65-vjeçarja tha se nuk është ftuar më në emision që prej vitit 2014, kur Fallon mori drejtimin e spektaklit.

“Nuk kam qenë në emisionin e Jimmy Fallon që kur ai mori drejtimin. Kështu që besoj se jam përjashtuar nga emisioni i tij ose jam shumë e papërshtatshme apo shumë kontroverse.”

Griffin shtoi se askush nuk i ka komunikuar zyrtarisht një ndalim, por sipas saj kjo është mënyra se si funksionon industria e televizionit.

“Kur je i përjashtuar nga një emision dhe, nëse më njihni, unë jam përjashtuar nga shumica prej tyre, zakonisht nuk ta thonë kurrë. Thjesht nuk gjejnë më vend për ty.”

Megjithatë, ajo pranoi se Jimmy Fallon ka qenë gjithmonë i sjellshëm me të gjatë periudhës kur ai prezantonte “Late Night”, por kritikoi disa prej të ftuarve që ai ka zgjedhur pasi mori drejtimin e “The Tonight Show”.

Një nga kritikat e saj lidhej me ftesën që iu bë ish-kampionit të UFC-së, Conor McGregor.

“Mendoj se ishte një vendim i gabuar të ftohej Conor McGregor. Kjo u dërgon grave dhe njerëzve të margjinalizuar mesazhin se nuk jemi të barabartë dhe se autorët e dhunës mund të vazhdojnë të lavdërohen.”

Griffin rikujtoi gjithashtu intervistën e Jimmy Fallon me Donald Trump në vitin 2016, pak para se ai të zgjidhej president i SHBA-së, duke kritikuar momentin kur moderatori i preku flokët.

“Më kujtohet kur Fallon kishte të ftuar Donald Trump-in dhe i përkëdheli flokët, ose siç e quaj unë, folenë e zogjve. Nuk më pëlqeu aspak.”

Në përshkrimin e videos së saj në Instagram, komediania shkroi:

“Fallon, çfarë mesazhi po dërgojmë këtu? Dhe a mund ta ruajmë ‘cancel’-in për ata që e meritojnë vërtet?”

/tvklan.al