Përshtatur në shqip, artikull i L’Orient Le Jour

Dy orë. Kjo është koha që ushtria izraelite i dha Janës, të martën e 1 korrikut në mëngjes, për të marrë gjërat nga shtëpia ku familja e saj kishte qëndruar prej më shumë se 50 vitesh dhe për të shkuar në kampin e refugjatëve në Tulkarem, një qytet në veri të Bregut Perëndimor, pranë vijës së gjelbër.

Pas disa valëve të zhvendosjes së detyruar gjatë muajve të fundit, kampi është zbrazur gradualisht nga gati 20 mijë banorët e tij. Pas një thirrjeje me megafon që u dëgjua në rajon gjatë natës nga e hëna në të martën, “ne u përpoqëm të marrim sa më shumë sende. Nga njëra ditë në tjetrën, humbëm kujtimet tona dhe çdo shpresë për kthim”, shprehet vajza që banon në një strehim të përkohshëm jo shumë larg kampit. Një natë më parë, Jana e kishte dëgjuar tashmë thirrjen me megafon që paralajmëronte shkatërrimin e afërt të pronave të tyre.

“Na thanë se qindra shtëpi do të shemben në lagjet e synuara. Gjithçka që gjyshërit tanë kishin ndërtuar me mbërritjen në kamp do të shkatërrohet”, ankohet vajza, ende e prekur nga emocionet dhe që preferon të mbetet anonime për shkak të frikës nga hakmarrjet e kolonëve izraelitë.

Kjo “Nakba moderne” (referencë për katastrofën e vitit 1948), siç e quan ajo, filloi në tetor 2023, pasi shteti hebre mbylli kufijtë për palestinezët që punonin në Izrael pas masakrave të kryera nga Hamasi në territorin izraelit. Bashkëshorti i saj mekanik në anën tjetër të vijës së gjelbër, u vu nën arrest shtëpie, duke humbur kështu burimin e vetëm të të ardhurave që mbante familjen, përfshirë tre fëmijët dhe hallën e Janës që jeton me ta.

“Po shihnim gjithnjë e më shumë ushtarë. Por gjashtë muaj më parë gjithçka u përkeqësua”, thotë palestinezja nga Haifa. “Dyqani im nuk ekziston më, jam e sigurt për këtë.”

Më 21 janar, ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi nisjen e Operacionit të quajtur “Muri i Hekurt”, që synon evakuimin e tre kampeve të refugjatëve në Bregun Perëndimor, përfshirë kampet Tulkarem dhe Nour Shams, të cilat ndodhen gjithashtu në qytet. Më pas, ai deklaroi në një njoftim për shtyp se u kishte dhënë “udhëzime (ushtarëve) që të përgatiteshin për një qëndrim të zgjatur në kampet që janë evakuuar, për vitin e ardhshëm, dhe të mos lejonin kthimin e banorëve të tyre ose ringjalljen e terrorizmit”.

Hussein-i, ashtu si Jana, ende e kujton atë natë janari kur forcat izraelite “pushtuan rrugët dhe shtëpitë tona”.

“Nuk kemi mundur të shkojmë në shtëpi për pesë muaj”, thotë gjashtëdhjetëvjeçari, i cili aktualisht jeton në një apartament të vogël në periferi të Tulkaremit me familjen e tij. Gjithashtu me origjinë nga Haifa, Hussein-i ka jetuar në kamp që nga fëmijëria.

Pa zgjidhje për strehimin, “njerëzit kanë shkuar të jetojnë në male, në tenda… Nuk u ka mbetur asgjë”, thotë ai. Në qytet, çmimet e qirave janë rritur shumë. “Më parë, kushtonte rreth 200 dollarë në muaj. Sot, më shumë se 500 dollarë.

“Pa rrogë, nuk mund të jetojmë këtu”, shton Jana. Planet e saj për të ardhmen? Ajo nuk ka asnjë ide. Me fëmijët e saj dhe me pak valixhe që arriti të shpëtonte, ajo planifikon të largohet nga vendi. Te kushëriri në Jordani? Ajo psherëtin: “Po, nëse mendoj për fëmijët e mi. Por çfarë imazhi do të kenë kur të kuptojnë se ne po i lëmë tokat tona? Ne duhet të qëndrojmë.”

Akram-i, një tregtar në kamp, dhe motrat e tij refuzonin të largoheshin nga qyteti i tyre. Por pasi u dëbuan nga kampi i Tulkaremit, kostoja e jetesës u bë shumë e lartë. Prandaj, ata vendosën të bashkohen me një pjesë të familjes së tyre në Naplus, më në jug. Kur ushtria izraelite lejoi të martën hyrjen në kamp për të marrë sendet e tyre, Akram-i “nxitoi” të gjente një makinë dhe të kthehej në kamp.

“Desha të shihja shtëpinë time, fqinjët. Mendoja se mund të ishte mundësia për t’u kthyer dhe për të rezistuar”, rrëfen 30-vjeçari. Por sapo mbërriti, ushtarët izraelitë i ndaluan hyrjen. E kontrolluan, e pyetën dhe i kërkuan të “priste”. “Më tallën duke më thënë se gjithçka do të shkatërrohej shumë shpejt. Në hyrjet e kampit ishin vendosur pika kontrolli”.

Akram-i hesht pak dhe vazhdon: “Kur arrita në kamp, pashë vetëm rrënoja. Dyqani im nuk ekziston më, jam i sigurt për këtë.” Që nga fillimi i operacionit “Muri i hekurt”, 691 dyqane janë mbyllur për shkak të shkatërrimeve izraelite, vlerësonte më 5 qershor Amnesty International.

“Forcat izraelite gjithashtu kanë shkatërruar sistematikisht (në kamp) infrastrukturat thelbësore, përfshirë rrugët, ujin, energjinë elektrike dhe rrjetet e komunikimit.”, thekson organizata në të njëjtin raport.

Një vendim i pezulluar nga drejtësia izraelite

Megjithatë, 72 orë pas paralajmërimit të parë të Izraelit një javë më parë, plani i shkatërrimit po vonohet. Sipas Autoritetit të Përgjithshëm Palestinez për Çështjet Civile (Pal-GACA), autoritetet izraelite kishin planifikuar të shkatërronin 104 ndërtesa, që përfshinin 500 familje, duke i lënë në rrugë përfundimisht rreth 2 mijë persona. Por më 3 korrik, Gjykata Supreme pezulloi këtë urdhër të gjerë shkatërrimi. Ky vendim erdhi pas presioneve nga organizata izraelito-palestineze Adalah, aktiviste për paqen, mbështetur nga dëshmia e 11 familjeve nga kampi të prekur nga urdhri i shkatërrimit. Por ky pezullim është vetëm i përkohshëm. Gjykata Supreme izraelite i dha ushtrisë afat deri më 2 shtator për t’iu përgjigjur ankesave të familjeve dhe organizatës Adalah. Në llogarinë e saj në X (Twitter), organizata përshkruan mbrojtjen izraelite: “Ushtria pretendon se ka nevojë për hapësirë ​​operative, por shtëpitë e peticionerëve ndodhen pranë tokave të zbrazëta.”

“Hapësirat operacionale të nevojshme” nuk janë arsyet e vetme që Izraeli përdor për të justifikuar dëbimin e dhjetëra mijëra palestinezëve. Në këtë pikë të nxehtë të luftës së përhapur që Tel-Avivi zhvillon në Bregun Perëndimor prej vitesh, Tulkaremi, i njohur për praninë e grupeve të armatosura, akuzohet nga shteti hebre se strehon shumë celula “terroriste”. Që nga 7 tetori 2023, kjo zonë është një nga objektivat kryesore të sulmeve izraelite në territoret e pushtuara, ndërsa forcat ushtarake deklarojnë se veprojnë shpesh në hakmarrje për sulmet ndaj trupave apo kolonëve.

“Është e vërtetë që ka probleme sigurie në kampe, banda rivale. Por këto janë ato që Izraeli ka krijuar dhe vazhdon t’i ushqejë”, denoncon një zyrtar lokal i kampit Nour Shams, i intervistuar anonimisht. “Duke shembur shkollat, xhamitë, kafenetë, të gjitha hapësirat tona të përditshme, ata kontribuojnë në këtë pasiguri.”

Sipas ministrisë palestineze të Shëndetësisë, midis 21 janarit dhe 4 qershorit, forcat izraelite kanë vrarë të paktën 80 palestinezë, përfshirë 14 fëmijë, në veri të Bregut Perëndimor. Një operacion që UNRWA (Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë) e konsideronte, që në mars, si “më i gjati dhe më shkatërruesi në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga kryengritja e dytë në vitet 2000”.

“Izraeli ka vetëm një qëllim: të zhdukë kampet, t’i bëjë si një lagje tjetër që do ta banojnë kolonët”, thotë zyrtari. “Por si mund të fshijnë dekada histori? Gjyshërit tanë, prindërit tanë, ne vetë kemi ndërtuar gjithçka këtu. Duke na persekutuar, ata do të krijojnë atë që e quajnë terrorizëm.”/tvklan.al