Interpretimi i këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Europian në Bruksel ka shkaktuar reagime nga përfaqësuesit e Kosovës.

Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, e ka cilësuar të papranueshme përfshirjen e kësaj kënge në një aktivitet zyrtar të Komisionit Europian, duke kërkuar një sqarim të menjëhershëm nga komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, lidhur me mënyrën sesi u përzgjodh dhe u miratua repertori muzikor.

Sipas programit, në mbrëmjen hapëse të forumit, më 15 nëntor, ishte parashikuar të interpretonte Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me grupin slloven “Kapobanda”. Megjithatë, interpretimi i këngës “Oj Kosovo, Kosovo” shkaktoi reagime për shkak të përmbajtjes së saj nacionaliste dhe pretendimeve politike mbi territorin e Kosovës.

Në reagimin e tij në platformën “X”, Bajrami theksoi se kjo nuk mund të konsiderohet thjesht një shkëmbim kulturor, pasi kënga promovon pretendime politike ndaj territorit të Republikës së Kosovës. Ai kërkoi shpjegime nga Komisioni Europian, duke argumentuar se një aktivitet i organizuar për zgjerimin, unitetin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë nuk mund t’u japë hapësirë pretendimeve irredentiste kundër një vendi, që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Reagimit të Bajramit iu bashkua edhe kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Europian, Jeton Zulfaj, i cili e cilësoi ngjarjen skandaloze dhe të papranueshme. Në reagimin e tij, Zulfaj kujtoi se kënga lidhet me periudhën e regjimit të Slobodan Millosheviçit, kur Kosovës iu shfuqizua autonomia dhe popullsia shqiptare u përball me represionin serb.

Ai kërkoi nga komisionerja Marta Kos të shpjegojë sesi u lejua interpretimi i këngës dhe çfarë masash do të ndërmerren, duke ngritur njëkohësisht shqetësimin për mospërfshirjen e Kosovës në këtë aktivitet.

Kënga nacionaliste serbe në Bruksel, Albulena Haxhiu kërkon sqarime nga Komisioni Europian

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në hapje të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Europian në Bruksel. Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu e cilësoi ngjarjen shqetësuese, duke theksuar se kënga promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës.

Ajo theksoi se një aktivitet që synon afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian nuk duhet të përcjellë mesazhe që bien ndesh me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve. Kryeparlamentarja kërkoi një sqarim nga Komisioni Europian për përzgjedhjen e muzikës, duke e cilësuar atë të papërgjegjshme.

Haxhiu nënvizoi se institucionet europiane duhet të tregojnë më shumë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit dhe mesazheve që përcjellin përmes aktiviteteve të tyre.

Marta Kos kërkon falje për këngën serbe në Bruksel: Nuk përfaqëson qëndrimet e BE-së

Komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos, ka shprehur keqardhje për interpretimin e melodisë së këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë koncertit hapës të Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel.

Në një prononcim për gazetarët më 16 nëntor, Kos theksoi se përzgjedhja e këngës nga muzikantët nuk pasqyron në asnjë mënyrë qëndrimet e Komisionit Europian. Melodia u interpretua më 15 nëntor, gjatë koncertit “Meloditë e unitetit”, ndërsa vargjet e këngës nuk u kënduan, por titulli u shfaq në ekran.

Përfshirja e saj në aktivitetin zyrtar shkaktoi reagime nga zyrtarët e Kosovës dhe përfaqësues të Parlamentit Europian, të cilët kërkuan shpjegime për përzgjedhjen e repertorit.

/tvklan.al