BE: Vuçiç dhe Kurti konfirmuan takimin në Bruksel, të hënën

Tashmë është zyrtare, Serbia dhe Kosova do të rikthehen të hënën më 27 Shkurt tryezës së dialogut në Bruksel. Në këtë takim mes kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb, Vuçiç pritet të diskutohet për planin franko-gjerman si dhe arritjen e një marrëveshje finale per zgjidhjen e tensioneve Kosovë-Serbi.

“Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, thuhet shprehimisht në marrëveshjen me gjithsej dhjetë pika.

Të dyja palëve ju kërkohet që të mbështesin aspiratat e njëra-tjetrës për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian.

Presidenti serb, Vuçiç ka vënë si kusht për ecurinë e bisedimeve zbatimin nga ana e palës kosovare të marrëveshjes së vitit 2013 për themelimin e bashkësisë së komunave serbe.

Kurti e ka kundërshtuar këtë kërkesë duke e cilësuar bashkësinë e komunave serbe si një ‘Republikë Srpska’ brenda Kosovës.

Kryeministri kosovar është shfaqur optimist para takimit me Vuçiç se brenda këtij viti do të ketë një marrëveshje përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës.

Klan News

/tvklan.al