“Ka vende që vizitohen për detin, të tjera për historinë. Por ka edhe vende të rralla ku natyra, besimi dhe trashëgimia historike bashkëjetojnë në të njëjtin peizazh. Një prej tyre është Kepi i Rodonit, gadishulli që shtrihet në brigjet e Adriatikut dhe që vit pas viti po kthehet në një nga destinacionet më të kërkuara turistike të Shqipërisë”, thotë gazetarja, Enkeleda Arapi.

Rruga që të çon drejt Kepit të Rodonit kalon mes përmes kodrave të Ishmit, të mbuluara me bimësi të dendur dhe peizazhe tipike mesdhetare. Pamja që të ofrohet është mbresëlënëse. Nga lartësia e kodrave shihen plazhet e Gjirit të Lalzit, Ishmit, Shëngjinit e deri në Kotorr. Sa më shumë afrohesh drejt kepit, aq më shumë ndjen se po lë pas zhurmën e qytetit dhe po hyn në një tjetër ritëm, atë të natyrës dhe qetësisë.

Në fund të kësaj rruge, rreth një orë larg autostradës Tiranë-Durrës, nis udhëtimi ynë. Ndalesa e parë është Kisha e Shën Ndout, një nga vendet më të rëndësishme të pelegrinazhit në Shqipëri. E vendosur buzë detit, kjo kishë vizitohet çdo vit nga mijëra besimtarë, veçanërisht më 13 qershor, ditën kushtuar Shën Ndout. Historia e saj lidhet me shekujt e mesjetës shqiptare dhe me praninë e Skënderbeut në këtë zonë. Edhe pse është rindërtuar ndër vite, ajo vazhdon të ruajë rëndësinë shpirtërore dhe historike.

Qetësia që mbizotëron këtu dhe panorama mbi det e bëjnë këtë vend një ndalesë të veçantë për çdo vizitor.

“Mendoj se arkitektura e kishës është e shkëlqyer, e ndërtuar me gurë. Është një vend i mirë për t’u vizituar, me njerëz që mblidhen këtu. Shqipëria është e shkëlqyer, njerëzit mikpritës, çmimet të lira. E vetmja gjë negative është gjendja e rrugëve”, shprehet një turist.

“Është hera e parë që vij, por nuk do të jetë e fundit. Do të vij përsëri”, thotë një tjetër.

Pas kishës, rruga vijon drejt shtigjeve natyrore që përshkojnë gjithë gadishullin. Në njërën anë shfaqen brigjet shkëmbore ku dallgët përplasen pandërprerë, ndërsa në anën tjetër shtrihet gjelbërimi i parkut natyror. Kjo zonë është e pasur me bimësi tipike mesdhetare dhe përbën një habitat të rëndësishëm për shumë lloje shpendësh.

“Jam për herë të parë këtu, e gjeta vendin në internet. Është shumë i bukur dhe i mrekullueshëm”, thotë një turist.

“Më pëlqen pamja, deti dhe panorama. Duket shumë mirë”, shton një tjetër.

Pak më tej ndodhet një nga monumentet më të rëndësishme historike të zonës, Kalaja e Skënderbeut. E ndërtuar në mesin e shekullit XV me urdhër të Gjergj Kastriotit, ajo kishte funksion mbrojtës dhe shërbente si pikë strategjike për kontrollin e brigjeve të Adriatikut. Një pjesë e saj u dëmtua nga deti ndër shekuj, por muret që kanë mbetur vazhdojnë të dëshmojnë rëndësinë që kjo fortesë kishte në historinë shqiptare. Sot, kalaja është një nga monumentet më të vizituara të Kepit të Rodonit.

Pasi kanë vizituar kishën dhe kalanë e Skënderbeut, vizitorët i drejtohen vijës bregdetare, aty ku kalojnë një ditë pushimi në ujërat e kristalta të plazheve të Kepit të Rodonit.

Plazhet e Kepit të Rodonit dallohen për ujin e pastër, bregun natyror dhe qetësinë. Në krahasim me zonat më të frekuentuara turistike të Durrësit, këtu vizitorët gjejnë më shumë hapësirë dhe një kontakt më të afërt me natyrën. Pas një dite në det, vizitorët ndalen për të shijuar gatimet tradicionale. Një bunker i dikurshëm ushtarak është shndërruar në një restorant familjar pranë bregut. Është i vetmi restorant brenda parkut të Kepit të Rodonit dhe ofron peshk të freskët e prodhime deti të kapura çdo ditë nga peshkatarët vendas.

Rruga që të çon në Kepin e Rodonit është pak e mundimshme, por me të mbërritur këtu vizitorët mbeten të kënaqur. Gjatë sezonit veror, zona frekuentohet nga familje shqiptare, turistë të huaj dhe të apasionuar pas kampingut e ecjeve në natyrë.

Nga rruga që përshkon kodrat e gjelbëruara, te Kisha e Shën Ndout, Kalaja e Skënderbeut, plazhet e qeta dhe mikpritja e banorëve, Kepi i Rodonit ofron shumë më tepër se një destinacion veror. Është një vend ku historia nuk lexohet vetëm në libra, por përjetohet mes mureve të lashta, në shtigjet buzë detit dhe në qetësinë që natyra ka ruajtur ndër shekuj.

Klan News

/tvklan.al