Tabloidi britanik The Sun e rendit Shqipërinë si një ndër vendet më tërheqëse. Sipas artikullit, në Evropë ekzistojnë ende destinacione që ofrojnë çmime shumë më të ulëta, duke përmendur Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bullgarinë.

The Sun shkruan se Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen ndërkombëtare. Me mbi 300 ditë diell në vit, vendi ofron një vijë bregdetare të jashtëzakonshme, ku bashkohen ujërat e kristalta të Adriatikut dhe Jonit, të ndërthurura me peizazhin malor e të ashpër të Ballkanit.

Gazeta thekson se për një kombinim të plazheve dhe vendeve historike mund të vizitohet Durrësi, ku turistët mund të ngjiten në Kullën Veneciane ose të eksplorojnë falas rrënojat romake. Për restorante me çmime të favorshme dhe peizazhe të mrekullueshme rekomandohet Saranda, ku ndodhet Parku Kombëtar i Butrintit, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, me pyje të dendura dhe pamje spektakolare mbi bregdetin.

Po ashtu, Vlora po shndërrohet në një nga destinacionet më moderne turistike në vend, me hotele luksoze me çmime të përballueshme, shëtitore të gjalla dhe mundësi për udhëtime me varkë drejt shpellave detare.

Sipas The Sun, e gjithë kjo përvojë në Shqipëri turistit i kushton më pak se në destinacionet e njohura klasike në Itali e Greqi, pa humbur cilësinë e pushimeve.

Tv Klan

/tvklan.al