24 nëntor 2026 – GJKKO ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj për dërgimin në spital në Tiranë për kryerjen e operacionit të këmbës.

Nëpërmjet avokatit Plarent Ndreca, Veliaj kërkoi nga gjykata që t’ mundësonte kryerjen e operacionit për këmbën e thyer në Tiranë nga një spital i zgjedhur nga familja. GJKKO shprehu moskompetencë për këtë çështje me argumentin se është përgjegjësi e Drejtorisë së Burgjeve.

I pari i Tiranës ka thyer këmbën gjatë kohës që qëndronte në paraburgimin e Durrësit. Tashmë i transferuar në atë të Fierit, Veliaj ka refuzuar të kryejë operacionin në spitalin e Fierit, por është shprehur se nuk do ia besojë jetën e tij në narkozë personave përgjegjës për transferimin e tij, referuar kryeministrit Edi Rama me të cilin tashmë është në “luftë të hapur”.

Kërkesën për shtyrje të seancës, Veliaj e argumenton me vullnetin për të qenë i pranishëm në seancë, por e ka të pamundur për shkak të këmbës së thyer, por dhe kjo nuk u pranua.

“Me gjithë vullnetit tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Mbrojtja ime do ju vërë në dispozicion disa shkresa shëndetësore. Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botox, as mbjellje flokësh, as të zbardh dhëmbët, por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime. Nuk mund të vendosë askush kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, thuhet në letrën e Veliajt drejtuar gjykatës.

Edhe prokurorët e çështjes, Ols Dado dhe Altin Dumani janë shprehur kundër shtyrjes së seancës duke kërkuar vijimin normal të procesit të gjykimit për 11 të pandehurit e dosjes.

Në përfundim të seancës së sotme, prokurori Altin Dumani i sugjeroi gjykatës që Erion Veliaj të marrë pjesë në seancat e radhës me videokonferencë nga paraburgimi, për shkak të gjendjes së këmbës.

Edhe avokati i Veliajt u shpreh dakord me propozimin. Gjykata do të konsultohet me Drejtorinë e Burgjeve për të parë nëse lidhja me videokonferencë është teknikisht e mundur, përpara se të marrë një vendim.

Në përfundim të seancës së sotme, prokurori Altin Dumani i sugjeroi gjykatës që Erion Veliaj të marrë pjesë në seancat e radhës me videokonferencë nga paraburgimi, për shkak të gjendjes së këmbës. Edhe avokati i Veliajt u shpreh dakord me propozimin. Gjykata do të konsultohet me Drejtorinë e Burgjeve për të parë nëse lidhja me videokonferencë është teknikisht e mundur, përpara se të marrë një vendim.

Avokati Plarent Ndreca për gazetarët tha se do të kërkojnë një vendim nga Drejtoria e Burgjeve për trajtimin mjekësor të Erion Veliajt, të cilin më pas do ta ankimojnë nëse do të kenë mundësi. Ai theksoi se familja kërkon që kryebashkiaku të ndiqet nga mjeku i zgjedhur prej saj, duke argumentuar se kjo është teknikisht e pamundur në strukturat publike ku mjeku ushtron profesionin. Ndreca paralajmëroi se situata mund të sjellë pasoja dhe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme.

“Gjykata tha se duhet të merret një vendim nga Drejtoria e Burgjeve, të cilin më pas duhet ta ankimojmë. Do të kërkojmë që të shprehen me vendim. Urojmë të mos jetë sekret shtetëror dhe, nëse do të kemi mundësi ta ankimojmë, do ta ankimojmë.

Unë thashë se nuk kemi problem me strukturën spitalore, ne duam që ai të ndiqet nga mjeku i zgjedhur nga familja. Nëse doktori na thotë se mund të bëhet atje, e bëjmë edhe te Memoriali, por teknikisht është e pamundur. Ai e ushtron profesionin ose te Trauma, ose në spital privat. Sipas gjykatës, është një zgjidhje që duhet ta japë Drejtoria e Burgjeve. Kjo mund të shkaktojë pasoja, për këtë arsye kemi kërkuar të ndërhyhet menjëherë. Jemi në këto kushte për shkak të vendimmarrjes së Burgjeve”, tha Ndreca.

“Në letër, Veliaj nuk e kushtëzon vijimin e seancës. Herën e fundit për këtë u shty seanca që mbrojtja të konsultohej me të. Një javë ishte e mjaftueshme që avokati të konsultohej. Nuk më duket situatë serioze, as ligjore. E kemi dërguar çështjen që në shtator 2025, akoma jemi.. shtyrjet janë bërë për shkaqe të të pandehurve apo mbrojtjes. Asnjëherë nuk është bërë shkak SPAK. Ne jemi këtu që të gjykohet çështja”, tha Dumani.

Veliaj po gjykohet për 13 akuza, mes tyre “korrupsion pasiv”, “pastrim parash”, “mosdeklarim pasurie”, “shpërdorim detyre” dhe “futja e sendeve në burg”. Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të si leje ndërtimi dhe kanë përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

/tvklan.al