Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka refuzuar sot më 22 nëntor të paraqitet në Spitalin Memorial të Fierit, ku ishte planifikuar t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale ditën e nesërme.
Veliaj duhej të paraqitej sot në spital për të kryer konsultat me mjekët dhe analizat paraprake përpara operacionit. Megjithatë, ai ka kundërshtuar kryerjen e ndërhyrjes në këtë spital, duke iu drejtuar fillimisht Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të marrë një vendim lidhur me trajtimin e tij.
“Unë i jam drejtuar GJKKO-së për të vendosur mbi ndërhyrjen time. Refuzoj të shkoj në Spitalin Memorial Fier”, mësohet të ketë deklaruar Veliaj nga paraburgimi i Fierit, raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci.
Në një reagim të publikuar më pas, kryebashkiaku ka dhënë versionin e tij për refuzimin e operacionit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po ndërhyn edhe në çështjen e tij shëndetësore.
Veliaj e ka cilësuar spitalin ku ishte planifikuar ndërhyrja si një zgjedhje të imponuar nga kryeministri, ndërsa ka rikthyer akuzat për atë që e konsideron si “internim politik” në Fier. Ai shprehet se nuk mund t’i besojë të njëjtit person për të vendosur mbi një ndërhyrje kirurgjikale nën narkozë, ku, sipas tij, është në lojë jeta e tij.
“E kuptoj që makineria e PR-it të Kryeministrit është sulur edhe ndaj këmbës sime, me sa duket se u kanë mbaruar punët e vendit për të publikuar. Por e vërteta është se as e kam kërkuar dhe sigurisht e kam refuzuar operimin në një spital të imponuar nga ai që më internoi në Fier, Kryeministri i vendit. Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime?”, shkruan Veliaj.
Ai thekson se nuk po refuzon trajtimin mjekësor apo ndërhyrjen kirurgjikale, por kërkon që vlerësimi të bëhet nga një mjek i zgjedhur prej tij dhe operacioni të kryhet në një spital të përzgjedhur nga familja. Sipas Veliajt, kërkesën për këtë qëllim ia ka drejtuar GJKKO-së që të premten në mëngjes, duke kërkuar garantimin e të drejtës për të zgjedhur mjekun dhe institucionin ku do të operohet.
“Nuk po refuzoj trajtimin apo operimin e mundshëm, të cilin e kam kërkuar prej muajsh. Po refuzoj që ai që më internoi të vendosë edhe mbi jetën time!”, përfundon reagimin e tij kryebashkiaku.
Më 20 nëntor, Veliaj i ishte drejtuar ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku me një kërkesë për ndërhyrje, në mënyrë që operacioni të kryhej në Tiranë, pranë mjekut të tij dhe familjes. Ai pretendonte se kërkesat e mëparshme të drejtuara institucioneve për këtë çështje kishin mbetur pa përgjigje.
Një ditë më vonë, avokati i tij iu drejtua GJKKO-së me një kërkesë urgjente për të autorizuar kryerjen e ndërhyrjes në një spital privat në kryeqytet. Nga ana tjetër, Drejtoria e Burgjeve njoftoi se operacioni ishte planifikuar për më 23 nëntor në Spitalin Memorial të Fierit, pasi, sipas vlerësimit të mjekëve, ndërhyrja nuk konsiderohej emergjente.
Veliaj ndodhet në paraburgimin e Fierit, në kuadër të procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij në Gjykatën e Posaçme.
/tvklan.al












Botërori 2026 