Kompromisi i arritur mes dyshes Majko-Paloka lidhur me draftin për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë mori miratimin e Këshillit të Legjislacionit në Kuvend, por pa votën e opozitës, e cila e abstenoi atë.
Mazhoranca u tërhoq në 90% të draftit në funksion të marrjes së konsensusit nga opozita, e cila ndonëse pranoi kompromisin u shfaq me një qëndrim kontradiktor në Këshillin e Legjislacionit.
Jozefina Topalli: “Kush është dakord në tërësi për ndryshimet kushtetuese për kufizimin e imuniteteve? Kush është dakord zotëri deputet? Zotëri deputet? S’jeni dakord? Kush është dakord për nenin për ndryshimet në tërësi, për ndryshimet kushtetuese në variantin e kompromisit të arritur midis dy relatorëve? 15 pro, 1,2,3,4,5,6,7,8,9,10,11,12,13 abstenim.”
Pandeli Majko: “Nuk besoj se këtu jemi mbledhur për të numëruar goglat. Besoj që fola shumë qartë, fola shumë qartë që Partia Socialiste ti qëndrojë këtij kompromisi. Nuk keni pse futeni këtu me logjikë abstenimi për të thënë që 6 Gushti është data e tmerrshme o vemi, o s’vemi.”
Socialistët nuk pranuan të japin konsensusin për votimin në 6 Gusht të këtij drafti, duke kërkuar shtyrjen e tij për në muajin Shtator dhe votimin bashkë me ndryshimet e tjera kushtetuese që socialistët kanë propozuar. Të pakuptimtë e cilësoi qëndrimin e tyre deputeti Kastriot Islami, i cili replikoi gjatë mbledhjes me relatorin socialist Pandeli Majko.
Pandeli Majko: “Zoti Stama do t’ju lutesha, jeni deputet i vjetër, nuk keni pse futeni këtu me logjikë abstenimi për të thënë që 6 Gushti është data e tmerrshme o vemi o s’vemi. Unë të kam mik, je koleg i vjetër. Ne po ndryshojmë Kushtetutën. Dhe dikur në Kushtetutën e 98 ke qenë përfaqësues i qeverisë në komisionin e Kushtetutës. Nuk na vjen për të na ardhur dhe të na thoshe kjo datë duhet të jetë data finale për të miratuar Kushtetutën, do të bëhet nami. Por e miratuam ngadalë, me muaj duke vizituar 14 herë një nen dhe pastaj shkuam në referendum.”
Kastriot Islami: “Në qoftë se respektohet procedura dhe rregullorja e parlamentit sipas propozimit të ju të dyve dhe miratimit tonë, shkohet në seancë plenare. Nuk ka më asnjë lloj mënyre tjetër dhe tani nuk mund të dilet duke thënë që ne kemi dhe një gjë tjetër dhe po të shkurtohej ajo gjëja tjetër ne nuk bëjmë as këtë gjënë që kemi rënë dakord sot. Po pyetja tjetër që vjen, po nëqoftëse në Shtator, në Tetor, në Nëntor sepse kjo është një çështje reformë, mund të ketë mendime të ndryshme, mund të bihet dakord çfarë bëhet dhe në qoftë se kjo është e kushtëzuar edhe në çështjen e integrimit çfarë bëhet? Dhe në qoftë se dhe këtu ndoshta po e ekzagjeroj por, ti besoj times që është ekzagjerim, në qoftë se ambasadori amerikan ka ardh disa herë në selinë e Partisë Socialiste dhe ka thënë që data 6 Gusht është mirë dhe ekziston gjithë hapësira dhe mundësia që kjo të përfundojë në datën 6 Gusht dhe ka thënë dhe tjetrën që mbylleni këtë 6 Gushtin dhe hapeni pastaj prapë. As nuk është fillimi, as nuk është mbarimi, po mbylleni këtë proces dhe mos i kushtëzoni proceset me njëri tjetrin.”
Kompromisi për draftin e kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë u arrit pas punës së bërë nga dy relatorët Pandeli Majko e Edi Paloka, të cilët u mandatuan nga Këshilli i Legjislacionit për shqyrtimin e këtij projektligji./tvklan.al












Botërori 2026 