Këshilli i Europës, por edhe përfaqësues të drejtësisë europiane, i cilësojnë të ekzagjeruara masat e sigurisë “arrest në paraburgim” të dhëna nga gjykatat shqiptare.

Ky shqetësim është përsëritur shpesh nga kryeministri këtë vitin e fundit. Si dëshmi se numri i lartë i të paraburgosurve ka alarmuar edhe ndërkombëtarët, Rama ka postuar fjalimet e Gianluca Esposito-s, Drejtori i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Europës, dhe Nicola Lettieri – Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë, mbajtur në konferencën e nivelit të lartë të organizuar të enjten në Tiranë nga Ministria e Drejtësisë.

“Paraburgimi mund të justifikohet në një rast të caktuar vetëm nëse ekzistojnë tregues specifikë për një nevojë reale të interesit publik. Është përgjegjësi e autoriteteve gjyqësore kombëtare të sigurojnë që, në një rast të caktuar, paraburgimi i një personi të akuzuar të mos tejkalojë një afat të arsyeshëm. Për këtë qëllim, duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë, autoritetet duhet të shqyrtojnë të gjitha faktet që flasin pro ose kundër ekzistencës së kësaj nevoje të interesit publik dhe t’i pasqyrojnë ato në vendimet e tyre mbi kërkesat për lirimin. Problemi kryesor i praktikës së paraburgimit në Shqipëri është përdorimi i tepruar dhe i pamjaftueshëm i arsyetuar i kësaj mase “, tha Esposito.

“Marrja e një mase siguruese nuk ka nevojë që të ketë si premisë që personi të jetë fajtor përtej dyshimit të arsyeshëm. Na duhen indicie serioze apo baza të arsyeshme për t’u thënë gjyqtarëve që metodologjia e vlerësimit është e njëjtë si për shpalljen e fajësisë, ashtu edhe për masat siguruese. Masat e paraburgimit mund të zbatohen vetëm në ato procese që përfshijnë vepra penale të ndëshkuara me ligj me dënim mbi 1 vit burg”, tha Nicola Lettieri, Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë,

Vetë Rama i komenton si alarmante masat e sigurisë të vendosura nga gjykatat shqiptare, duke u bazuar vetëm mbi indicie dhe jo prova.

“Arresti me burg pa gjyq, si praktikë normale në Shqipëri, ka sjellë rezultatin skandaloz të një vendi europian me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur, duke alarmuar Këshillin e Europës. ‘Dyshimi i arsyeshëm’, kjo formulë që ka marrë në qafë shumë njerëz që në fund kanë dalë të pafajshëm, por edhe të dërrmuar psikologjikisht, apo që mban sot nëpër burgje pa gjyq njerëz që nesër mund të dalin të pafajshëm, është një ndër disa pikat mbi të cilat duhet reflektuar seriozisht, për ta bërë Shqipërinë një vend ku prezumimi i pafajësisë të mos dhunohet nga prezumimi i fajësisë”, shkruan Rama.

Ndërsa Theo Byl, gjyqtar belg që ndërhyri virtualisht me një fjalim, iu referua praktikës që ndiqet në Belgjikë, ku përdorin masa alternative si monitorimi elektronik për të zëvendësuar paraburgimin, çka e ka ulur ndjeshëm numrin e të paraburgosurve.

Tv Klan

/tvklan.al