08 nëntor 2026- Rripi i Gazës po përballet me një tjetër emergjencë humanitare, teksa stuhia e parë e vjeshtës ka sjellë reshje të dendura shiu dhe erëra të forta, duke përmbytur kampet e të zhvendosurve dhe duke shkatërruar mijëra tenda.

Pasojat e motit të keq kanë rënduar edhe më shumë kushtet e jetesës për popullsinë, e cila prej vitesh përballet me pasojat e luftës dhe mungesën e strehimit.

Vetëm pak orë reshje kanë mjaftuar që uji të pushtojë vendstrehimet e improvizuara. Automjete të tëra kanë mbetur nën ujë, dyshekët dhe rrobat janë lagur plotësisht, ndërsa shumë familje, mes tyre edhe fëmijë të vegjël, janë detyruar të kërkojnë strehim në hapësirat e pakta që nuk janë përmbytur.

Situata është rënduar edhe nga shembja e mureve të dëmtuara nga bombardimet dhe përmbytja e kanalizimeve.

Sipas burimeve të Hamasit, disa foshnja kanë humbur jetën si pasojë e kushteve të rënda, ndërsa rreth 70 mijë tenda janë dëmtuar, shqyer ose shkatërruar nga erërat e forta. Qindra familje të zhvendosura janë detyruar të largohen sërish, duke marrë me vete atë pak që u ka mbetur nga lufta.

Disa kanë kërkuar strehim në qytetin e Gazës dhe në zona të tjera më të mbrojtura në qendër dhe në veri të Rripit, ndërsa të tjerë e kanë kaluar natën në plazh, të ekspozuar ndaj të ftohtit dhe shiut.

“Kam shtatë fëmijë, pesë prej tyre të vegjël. Hyj dhe dal çdo ditë nga spitalet, ndërkohë që dimri ende nuk ka filluar. Kjo nuk është jetë!”, është shprehur një grua e zhvendosur, ndërsa përpiqej të largonte ujin nga dyshemeja e banesës së improvizuar.

Një tjetër fëmijë ka shprehur dëshpërimin për mungesën e ndihmës: “Askush nuk kujdeset për ne. Vini vetëm për të bërë disa xhirime televizive dhe pastaj largoheni. Sa mendoni se mund të mbijetojmë kështu? Kemi ujë kudo. Për hir të Zotit, kini mëshirë për ne!”.

Sipas të dhënave të cituara nga artikulli, aktualisht në Gaza ndodhen rreth 270 mijë tenda, ndërsa 400 mijë persona të tjerë të zhvendosur jetojnë në kushte të improvizuara, mes rrënojave dhe strehimeve të përkohshme.

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se rreth 900 mijë persona rrezikojnë të përballen me përmbytje të rënda dhe mungesë të plotë të ndihmës gjatë reshjeve të ardhshme.

Ministri i Shëndetësisë i Autoritetit Palestinez, Majed Abu Ramadan, ka paralajmëruar se mijëra njerëz mund të humbin jetën në muajt e ardhshëm nëse nuk ndërhyhet menjëherë.

Ndërkohë, situata është rënduar edhe nga mungesa e burimeve për ndihmën humanitare. Vetëm një muaj më parë, Programi Botëror i Ushqimit (WFP) uli me një të tretën numrin e personave që përfitojnë ndihma ushqimore, nga 1.5 milionë në 1 milion. Arsyeja e dhënë ishte mungesa e fondeve, e lidhur edhe me shkurtimet e ndihmës humanitare nga administrata amerikane.

Autoritetet palestineze dhe organizatat humanitare i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë presion ndaj Izraelit për të lejuar hyrjen e pakufizuar të ndihmave në Gaza.

Ata paralajmërojnë se temperaturat e ulëta dhe reshjet e vazhdueshme mund të shtojnë përhapjen e sëmundjeve, veçanërisht mes fëmijëve dhe personave më të pambrojtur.

Pavarësisht paralajmërimeve për motin e keq, përgatitjet për dimrin kanë ecur me ritme të ngadalta. Organizmi izraelit COGAT, që koordinon aktivitetet në territoret palestineze, kishte përditësuar planet sanitare për dimrin, duke lejuar hyrjen e katër mjeteve për pastrimin e kanalizimeve, të cilave iu shtuan edhe tetë të tjera të dërguara në tetor. Megjithatë, 12 mjete konsiderohen të pamjaftueshme për një popullsi prej rreth dy milionë banorësh.

Nga ana tjetër, qeveria izraelite argumenton se kufizimet për hyrjen e materialeve si çimentoja, çeliku, hekuri dhe qelqi lidhen me shqetësimin se ato mund të përdoren nga Hamasi për prodhimin e armëve. Një zëdhënës nga Tel Avivi ka mohuar se Izraeli pengon ndihmat humanitare, duke ia atribuar përgjegjësinë Hamasit.

Ndërkohë, pavarësisht një viti armëpushimi, nuk është arritur ende një marrëveshje për tërheqjen e trupave izraelite dhe çarmatimin e plotë të Hamasit. Edhe përpjekjet e Bordit të Paqes për Gazën, ku marrin pjesë përfaqësues amerikanë dhe të vendeve të Gjirit, nuk kanë prodhuar rezultate të rëndësishme.

Përfaqësuesi i Komisionit të Emergjencave, Mustafa Qazzaat, ka kërkuar hapjen e pikave kufitare për lejimin e hyrjes së banesave të parafabrikuara, të cilat mund të zëvendësojnë tendat e shkatërruara. Sipas tij, nevojiten të paktën 20 mijë kontejnerë për strehim, si dhe pajisje për pastrimin e rrugëve, largimin e rrënojave dhe rikthimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes.

Mes kësaj katastrofe, një histori e veçantë vjen nga Hisham Amid, i cili dikur zotëronte një dyqan në Khan Younis dhe një shtëpi trekatëshe. Pas bombardimeve, gjithçka që i ka mbetur janë rrënojat dhe familja e tij prej tetë anëtarësh.

Pa pritur më ndihma, Hisham ka vendosur të ndërtojë vetë një strehë prej druri, duke përdorur arkat e ndihmave humanitare që nuk i ka marrë kurrë. Ai ka pastruar me duart e tij rrënojat e shtëpisë së fëmijërisë dhe ka mbledhur dërrasa e kuti të braktisura, disa prej të cilave mbajnë logot e Kryqit të Kuq dhe UNHCR-së.

“Është zgjidhja e vetme. I vetmi material që kemi për t’u mbrojtur nga i ftohti këtë dimër. Dhe nga indiferenca juaj”, është shprehur ai.

/tvklan.al