Më shumë se 70 persona u vranë natën e 12 Shkurtit në Gaza kur forcat izraelite shpëtuan 2 nga pengjet e rrëmbyera të Hamasit. E tillë dhe tragjike është edhe historia e Nawaras, e cila ka rrëfyer mes dhimbjes për BBC News se si bashkëshorti i saj ndërroi jetë si pasojë e sulmit izraelit.

Ashtu siç Nawara tregon, ajo ishte duke fjetur në tendën që kishte qenë shtëpia e familjes së saj në Rafah për pesë javët e fundit. Të shtrirë në tokë ishin Nawara, e cila është në muajin e gjashtë të shtatzënisë, gjashtë fëmijët e saj – nga mosha 13 deri në 4 vjeç dhe bashkëshorti i saj, Abed-Alrahman.

Më pas ndodhi diçka e pazakontë. Nawara zakonisht flinte e rrethuar nga fëmijët. Por atë natë, i biri Abed-Alrahman kërkoi të ndryshonte “marrëveshjen”.

“Para se të flinte, më kërkoi të vija të flija pranë tij, ishte hera e parë që më thoshte hajde fli me mua”, rrëfen ajo.

Ata ranë në gjumin e rraskapitur të jetës refugjate. Më pas, pak para orës 02:00, Nawara u zgjua nga zhurma e të shtënave. Në atë moment, bashkëshorti i saj, Abed-Alrahman tha se do të dilte dhe do të shihte se çfarë po ndodhte.

“Djali ynë më i madh po i thoshte: ‘Babi, të lutem mos dil jashtë’. Abed-Alrahman po përpiqej ta qetësonte atë se asgjë nuk do të ndodhte; djali im po i thoshte të mos dilte”, tregon mes dhimbjes gruaja.

Pastaj ajo ndjeu një dhimbje të fortë në kokë, bombardimet kishin goditur tendën ku ata strehoheshin. Nawara filloi të bërtiste. Në fillim, ajo nuk mund të shihte asgjë. Pas disa minutash, shikimi i saj u kthye për të parë të shoqin, Abed-Alrahman, i cili fatkeqëssiht nuk kishte mundur të ju rezistonte plagëve të marra.

Si pasojë e sulmit, vajza 13-vjeçare e Nawarës është goditur në sy, ndërsa 4 fëmijët e tjerë kanë marrë plagë të lehta./tvklan.al