Palmat e larta të Los Angeles-it, qetësia e Santa Monicës dhe freskia që vjen nga Oqeani Paqësor të japin fillimisht ndjesinë e një dite të zakonshme kaliforniane. Por vetëm pak kilometra më tej, ritmi ndryshon krejtësisht.
Rrugët që të çojnë drejt stadiumit mbushen me tifozë dhe me një energji që e bën të qartë se nuk është një ditë si gjithë të tjerat, por luhet Kupa e Botës.
Në hyrje të zonës së stadiumit, organizimi amerikan ndihet menjëherë. Autobusë të shumtë sjellin tifozët e ardhur në grupe, ndërsa stafet e eventit i presin dhe i orientojnë drejt sektorëve, hyrjeve dhe kontrolleve të sigurisë. Gjithçka lëviz me ritëm, por pa rrëmujë.
Mes gjithë kësaj lëvizjeje, janë tifozët e Bosnjës ata që bien më shumë në sy. Të shumtë në numër, të zhurmshëm dhe të organizuar, ata kanë sjellë në Los Angeles jo vetëm ngjyrat e kombëtares, por edhe stilin e tyre të tifozërisë. Flamujt boshnjakë valëviten kudo, këngët nuk pushojnë, duke e bërë të ngjajë më shumë si një derbi ballkanik sesa si një ndeshje mijëra kilometra larg shtëpisë.
Disa meksikanë kanë improvizuar pika gatimi në mes të kësaj atmosfere dhe po përgatisin ushqim për tifozët.
Këtu gjen gjithçka: familje me fëmijë të vegjël, grupe miqsh që këndojnë pa pushim, por edhe tifozë më të vjetër që e jetojnë ndeshjen me po aq emocion. Disa kanë ardhur nga shtete të tjera të Amerikës vetëm për këtë takim, të tjerë kanë udhëtuar edhe nga Bosnja e largët.
Për të hyrë në stadium, tifozëve u kërkohet të kenë me vete vetëm çanta transparente, një prej masave standarde të sigurisë së eventit. Jashtë ato shiten kudo, sepse jo të gjithë janë përgatitur paraprakisht.
Mes kësaj zhurme tipike ballkanase, gjen edhe shqiptarë që e shohin këtë ndeshje si diçka më shumë sesa një sfidë futbolli. Sepse kur sheh një kombëtare të rajonit tonë në Kupën e Botës, është e vështirë të mos ndjesh edhe një grimë zili sportive.
Jo zili e keqe, por ajo që të thotë në heshtje: sa bukur do të ishte ta jetonim edhe ne një ditë këtë çmenduri kuqezi.
Bosnja nuk mbështetet vetëm nga boshnjakët. Në turmë sheh edhe meksikanë që mbajnë anën e skuadrës ballkanike. Përreth stadiumit gjithçka është menduar për të përballuar mijëra tifozë, por komoditeti këtu ka çmimin e vet. Parkingjet janë gjigante, por disa orë mund t’u kushtojnë tifozëve deri në 200 dollarë. Policia është gjithmonë e pranishme. Patrulla, efektivë në hyrje, të vendosur për të garantuar sigurinë dhe për të mbajtur nën kontroll një fluks kaq të madh njerëzish. Jashtë stadiumit, disa djem të rinj kanë gjetur edhe mënyrën e tyre për të përfituar nga turma. Një berberhane e improvizuar në qiell të hapur. Qethja kushton 30 dollarë.
Në hyrjen kryesore të stadiumit është një botë krejt tjetër. Të ftuarit VIP mbërrijnë të shoqëruar nga staf i dedikuar. Paketat VIP shkojnë në rreth 4 deri në 5 mijë dollarë. Një çmim që nuk paguan vetëm biletën, por të gjithë eksperiencën: hyrje të veçantë, shërbim, ushqim, komoditet dhe një mënyrë krejt tjetër për ta përjetuar ndeshjen.
Por jashtë salloneve VIP dhe larg rehatisë së tyre, festa e vërtetë vazhdon me tifozët, e sidomos me ata të Bosnjës. Pak çaste para fillimit, nis edhe numërimi mbrapsht.
Zëri i tifozëve bashkohet në një ritëm të vetëm, stadiumi ndizet dhe emocionet arrijnë kulmin. Pastaj vjen fishkëllima e arbitrit dhe gjithçka që deri në atë moment ishte pritje, këngë dhe festë, kthehet në ndeshje, dhe ndeshje e Kampionatit Botëror.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 