Shqipëria renditet një ndër vendet me mbipopullim të institucioneve të vuajtjes së dënimit, por problemi më kryesor, sipas KLSH, është integrimi i tyre në shoqëri. Personat të cilët vuajnë dënimin përballen me pasoja të shumta pas daljes nga burgu.

“Mungesa e qasjes në arsim, punësim, strehim dhe kujdes shëndetësor, si dhe stigmatizimi social, e bëjnë procesin e riintegrimit të vështirë dhe rrisin rrezikun e rikthimit në kriminalitet”, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Sipas avokatëve, kjo mungesë riintegrimi rrezikon kthimin e të dënuarve në recidivistë.

“Pjesa e riintegrimit të personave të dënuar, mungesa e humanizimit në trajtimin e të burgosurve dhe të paraburgosurve, rregulla strikte duke i trajtuar si kriminelë, bëjnë që edhe pas vuajtjes së dënimit, këta persona të shikohen me syrin e kriminelit. Të mos përfitojnë vende pune, të mos përfitojnë vende të privilegjuara pune, u mbeten të bëjnë punë të rënda, dhe këta janë pjesa më e lirë e punës dhe i bën recidivistë. Vendimet gjyqësore nuk janë të argumentuara dhe personat që kalojnë vitet në burgim apo paraburgim nuk edukohen dhe ngelen larg me riintegrimin. Po ashtu kemi mungesë stafi edukativ në paraburgim, të burgosurit shpesh herë e kalojnë kohën duke luajtur letra”, u shpreh avokati Ylli Kameri.

E gjithë kjo situatë, sipas avokatëve, e ka burimin tek provueshmëria dhe mungesa e humanizmit.

“Provueshmëria, që do të thotë që shumë persona mbahen në paraburgim pa u hetuar plotësisht edhe në kundërshtim me kushtet dhe kriteret ligjore që parashikohen në Kodin e Procedurës Penale. Mungesa e humanizimit në përcaktimin e masave, duke krijuar edhe pasoja të tjera sociale të lidhura me personat e tjerë të cilët janë në paraburgim, bën të mundur që këta persona të heqin dorë nga mbrojtja, të zhvlerësojnë sistemin ligjor, kjo ka sjellë edhe mbipopullim të burgjeve”, pohoi Kameri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se mungesa e koordinimit midis institucioneve të burgjeve dhe shërbimeve komunitare pas lirimit është një nga faktorët kryesorë që pengon rehabilitimin afatgjatë dhe zvogëlon sigurinë publike.

/tvklan.al