Klubet e Milan dhe Inter nuk janë dakord që të jenë pjesë e rinovimit të San Siro. Kjo u pranua pas takimit që patën paraditen e së premtes përfaqësuesit e skuadrave me Kryetarin e Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala.

“Pas analizave të thelluara, Inter dhe Milan kanë arritur në përfundimin se San Siro nuk mund të rinovohet, ose të paktën jo me kosto të përballueshme, dhe për këtë arsye nuk e konsiderojnë këtë hipotezë, siç ishte menduar muajt e fundit, të realizueshme”, tha ai.

Sipas studimit për rinovimin do të duheshin nga 350-400 milionë Euro, por te Milan e Inter mendojnë se shuma e saktë është dyfishi. Vetë kryebashkiaku i Milanos tha se është edhe një hipotezë për ndërtimin e një stadiumi të ri po në zonën e San Siros.

Stadiumi “Giuseppe Meazza” i njohur ndryshe San Siro priti ndeshjen e parë në 1926 dhe gjatë historisë thuajse 1 shekullore ka pësuar rinovime, i fundit në vitet 2015 – 2016.

Tv Klan