Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar paraditen e sotme stërvitjen e fundit përpara ndeshjes me San Marinon në ambientet e federatës.
Trajneri Rolando Maran e ka pasur grupin të plotë përveç mbrojtësit Cake që po punon për t’u rikuperuar. Italiani do të bëjë disa ndryshime në formacion nisur nga kalendari i ngjeshur, edhe në prag të transfertës me Finlandën, por do të konfirmojë një pjesë të rëndësishme të lojtarëve.
Në mbrojtje mund të ketë vend për të riun Sina për të lënë pushim Hysajn, ndërsa përpara do të rifreskohen krahët me Uzunin dhe Mitajn.
Shehu mund të rikthehet titullar në mesfushë përkrah Asllanit, ndërsa në sulm Mehmeti me Muçin mund të ndihmojnë Rei Manajn.
Pas stërvitjes së zhvilluar në Tiranë, Kombëtarja është nisur drejt San Marinos, ku trajneri Ronaldo Maran do të dalë përpara mediave në orën 19:00.
Ndeshja do të luhet në stadiumin “San Marino” me një kapacitet afro 5000 vende dhe tifozët shqiptarë i kanë blerë të gjitha biletat që kanë në dispozicion, afro 300.
Nuk përjashtohet mundësia që të ketë më shumë tifozë edhe në tribunat e vendasve.
Shqipëria ka një bilanc pozitiv me 100% fitore ndaj San Marinos, ku ka koleksionuar 4 fitore në 4 ndeshje. Arbitri i sfidës do të jetë hungarezi Mihali Kaprali, i cili në të kaluarën ka gjykuar kuqezinjtë në sfidën miqësore 3-1 kundër Azerbajxhanit.
Ndeshja kundër San Marinos do të luhet këtë të martë në orën 20:45, ndërsa të shtunën Kombëtarja do të përballet me Finlandën në transfertë në orën 15:00. Ndeshje që do të transmetohen në TV Klan.
/tvklan.al












Botërori 2026 
