Një ditë pas humbjes në Finlandë, Kombëtarja shqiptare u rikthye në stërvitje për të përgatitur ndeshjen kundër San Marinos. Kuqezinjtë mbërritën në Tiranë në mesnatë, teksa këtë paradite punuan nën urdhrat e trajnerit Rolando Maran.

Grupi i futbollistëve nuk ishte i plotë në stërvitje, pasi morën pjesë ata që qëndruan në stol dhe në tribunë për duelin e Helsinkit, por edhe lojtarët që u aktivizuan nga stoli. Të tjerët që ishin titullarë qëndruan në palestër duke zhvilluar seanca rikuperimi.

Në stërvitje ishte rikthyer me Kombëtaren A portieri Simon Simoni, i cili gjatë këtyre ditëve kaloi në ekipin e 21-vjeçarëve. Por Maran do ta rigrumbullojë për duelin me San Marinon pasi Berisha u ndëshkua me karton të kuq.

Kuqezinjtë do të zhvillojnë edhe një tjetër seancë stërvitore ditën e hënë, atë zyrtaren në stadiumin “Air Albania”, ku trajneri do të vendosë edhe për formacionin titullar.

Pritet që të bëjë ndryshime në krahasim me ndeshjen e fundit kundër Finlandës, që Kombëtarja e humbi 1-2 pavarësisht se tregoi një paraqitje dinjitoze.

Dueli i radhës kundër “San Marinos” do të luhet ditën e martë në orën 20:45 dhe do të transmetohet në TV Klan.

/tvklan.al