Kombëtarja shqiptare nis sonte një kapitull të ri në Ligën e Kombeve, me objektivin për të lënë pas një seri rezultatesh negative dhe për të rikthyer besimin te skuadra.
Kuqezinjtë vijnë në këtë sfidë pas 5 humbjeve radhazi, ndërsa ende nuk kanë gjetur golin nën drejtimin e trajnerit të ri, Rolando Maran.
Italiani, i cili mori drejtimin e Kombëtares në maj pas largimit të Sylvinhos, do të përjetojë sonte ndeshjen e tij të parë zyrtare në stolin kuqezi, me kërkesën për një reagim të menjëhershëm.
Përballë Shqipërisë do të jetë Bjellorusia, një skuadër që vjen në Tiranë në një moment pozitiv. Të besuarit e Viktor Goncharenkos kanë gjashtë ndeshje pa humbje, me tre fitore dhe tre barazime.
Megjithatë, historia e përballjeve direkte favorizon kuqezinjtë. Shqipëria ka fituar tre nga katër ndeshjet e fundit ndaj Bjellorusisë, ndërsa sfida e fundit, në nëntor të vitit 2020, përfundoi me fitoren 3-2 të Shqipërisë.
Maran pritet ta nisë ndeshjen me skemën 4-2-3-1, duke u mbështetur te lojtarët me më shumë eksperiencë, por edhe ata që janë në formë.
Në portë Eksperienca është në favor të Berishës, ndërsa në mbrojtje do të rreshtohen Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Pilo.
Përpara tyre Asllani është i rikuperuar për të luajtur me Ramadanin, ndërsa treshja Seferi, Muçi dhe Hoxha do të mbështesin Rei Manajn.
Lojtarë që kanë bërë mirë me ekipet e tyre. Por ajo që Shqipërisë i mungon aktualisht është goli me Kombëtaren.
Kuqezinjtë nuk kanë shënuar ende nën drejtimin e Maranit dhe kanë vetëm 1 gol në 5 ndeshjet e fundit. Maran ka lënë jashtë skuadrës 4 futbollistët Simon Simoni, Fetai, Kerjota dhe Luis Hasa.
Në “Air Albania”, objektivi është një nisje e re dhe një reagim i menjëhershëm përballë Bjellorusisë. Ndeshja luhet në orën 20:45 dhe transmetohet në Televizionin Kombëtar Klan.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
