Te Kombëtarja shqiptare dinë të shënojnë të gjithë. Trajneri Sylvinho, ka në dispozicion një “armatë” të vërtetë sa i përket shënimit të golave.

15 nga 27 futbollistët e grumbulluar për sfidat ndaj Serbisë dhe Letonisë, kanë realizuar në total 73 gola këtë sezon në nivel klubesh.

Mirlind Daku është golashënuesi më i mirë, në urdhrat e teknikut Sylvinho. Sulmuesi ka shënuar 15 herë me Rubin Kazan, për të udhëhequr edhe garën në nivel personal me shokët e skuadrës te Kombëtarja shqiptare.

Pas tij ndodhen dy shokët e repartit, Rey Manaj dhe Jasir Asani, në kuotën e 12 golave.

Renditja speciale vijon me emra si Ernest Muçi, me shtatë realizime dhe dyshja e mesit të fushës, Juljan Shehu e Qazim Laçi që këtë sezon kanë shënuar në katër raste.

Golin e kanë gjetur edhe futbollistë si Arbër Hoxha, Adrion Pajaziti, Kristjan Asllani e Marash Kumbulla me nga tre realizime, për të vijuar me Berat Gjimshitin e Myrto Uzunin me dy gola. Mario Mitaj, Adrian Bajrami dhe Ylber Ramadani kanë shënuar nga një gol secili.

Shifra të kënaqshme që japin shenja pozitive, në prag të dueleve tepër vendimtare për kualifikimin në Kupën e Botës 2026.

Momentalisht, Kombëtarja jonë gjendet në vendin e dytë me tre pikë, gjysmën e asaj që numëron Anglia kryesuese.

Klan News

/tvklan.al