Kombëtarja shqiptare gjendet tashmë në Pragë për t’i dhënë fund përgatitjeve për sfidën me Ukrainën. Tekniku Sylvinho ka të gjithë grupin e lojtarëve të gatshëm për këtë sfidë, duke rritur shpresat për një rezultat pozitiv.

Një kundërshtar i vështirë për Kombëtaren tonë, e cila në përballjet direkte me ta nuk e njeh fitoren. Statistikat tregojnë se në 6 sfidat e zhvilluara mes tyre, Ukraina ia ka dalë të triumfojë në 5 raste, ndërsa vetëm një sfidë ka përfunduar në barazim. 13 gola kanë shënuar ukrainasit në portën tonë, ndërkohë kuqezinjtë ia kanë dalë të gjejnë rrugën e rrjetës 4 herë.

Kjo tregon se për “djemtë” e Sylvinhos Ukraina është “macja e zezë”, teksa ditën e nesërme kuqezinjtë do të kërkojnë fitoren për tu “hakmarrë” ndaj tyre. Për të treguar akoma dhe më shumë rreth këtij 90 minutëshi të vlefshëm për grupin 1 të Divizionit B, tekniku Sylvinho ka programuar daljen në konferencë për shtyp rreth orës 17:30.

Pas saj, kuqezinjtë do të zhvillojnë seancën stërvitore të fundit për të përcaktuar dilemat e fundit për sfidën e të shtunës në orën 20:45. Emocionet e kësaj sfide do i përjetoni ekskluzivisht falas në TV kombëtar Klan.

Klan News