Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ish-drejtori i Entit Rregullator të Telekomunikacionit Alqi Biraçi, ka dëshmuar përpara komisionit parlamentar hetimor. I shkarkuar një muaj më parë nga detyra e tij, Biraçi është treguar i kursyer në përgjigjet ndaj deputetëve të opozitës, duke shpjeguar, se për marrëveshjet e interkonjeksionit mes kompanive të telefonisë së lëvizshme dhe Albtelecomit, ndërhyrjet e ERT kufizohen vetëm për rastet kur njëra palë kundërshton bashkëpunimin.

Tarifat për shërbimin përcaktohen nga vetë operatorët në bazë të kostos dhe marrëveshjeve me njëri-tjetrin dhe ERT kontrollon vetëm kriteret. I krijuar në vitin 1998, ERT nuk ka mundur t’i kushtojë vëmendjen e duhur mbrojtjes së interesave të konsumatorëve. Kjo nisur jo vetëm nga hapësirat ligjore, por dhe për shkak të numrit të kufizuar të punonjësve të ERT-së.

Alqi Biraçi: “Është një aspekt domethënë edhe ligjet edhe i punës së ERT-së, por që unë, për periudhën që kam qenë aty drejtues, nuk e kam trajtuar këtë si problem, përveç ankesave që kam pasur dhe që janë trajtuar brenda atyre mundësive që kemi pasur”.

Deputetët e opozitës kërkuan analizë të Entit Rregullator mbi shpërdorimin e fondeve publike. I ngritur tre muaj më parë afati i komisionit hetimor për Telekomunikacionin përfundon në 19 Maj./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj