Komisioni për Reformën Zgjedhore ka nisur ditën e parë të punës, dy javë pas votimit në Kuvend. Edhe pse jo i hapur për mediat palët kanë përcaktuar dy ekspertët që do të identifikojnë problematikën lidhur me rekomandimet e vërejtura nga OSBE/ODIHR-i në dy raportet e fundit.

Damian Gjiknuri: “Sot u emërua grupi i ekspertëve, u dhanë detyrat paraprake për grupin e ekspertëve, u diskutuan disa çështje administrative teknike të funksionimit të komisionit dhe për probleme të tjera në përmbajtje, akoma nuk kemi hyrë por shumë shpejt do të fillojnë punën në lidhje me çështjet konkrete që duhet të adresojë ky komision. Çështjet konkrete tashmë dihen, janë të gjitha ato problematika dhe rekomandime që kanë të bëjnëme procesin zgjedhor në Shqipëri. Sistemi zgjedhor është një çështje që do të diskutohet në vazhdim dhe presim dhe propozimin e partive të vogla. Nëse ka vullnet unë them se gjërat arrihen dhe në kohën që kemi dispozicion.”

Nisjen nga puna të Komisionit për Reformën Zgjedhore e ka përshëndetur edhe kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli e cila metone optimiste tha se ky angazhim duhet të jetë gjithëpërfshirës si dhe garantoi njëherazi mbështetjen e Kuvendit për anëtarët e komisionit.

Jozefina Topalli: “Dua të shpresoj thellësisht sepse ky gur prove për çdo parti politike do të jetë një moment edhe reflektimi, por edhe një shansi dhe mundësie të jashtëzakonshme për të arritur kompromise në funksion të standardit më perfekt të reformës. Secili prej përfaqësuesve të partive të ndryshme politike janë në provë, sepse Reforma Zgjedhore duhet të jetë një reformë  e gjithanshme, se reforma zgjedhore duhet të jetënjë reformë e thellë e standardeve për interesa të përgjithshme të vendit, të së ardhmes dhe për interes të asnjëherë prej partive politike në mënyrë të veçantë. Si kryetare e Kuvendit duke uruar që kjo reformë të jetë e suksesshme, dua t’ju vë në dijeni se administrata e Kuvendit tërësisht në dispozicionin tuaj.”

Konstituimi i komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore është përshëndetur edhe nga kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfath. Pas mbledhjes së komisionit ai u shpreh optimist lidhur me frymën e re bashkëpunuese mes palëve që sipas tij shërben në radhë të parë zhvillimit të vendit.

Eugen Wollfarth: “Prezenca e OSBE-së dhe ODIHR-i e kanë pritur konstituimin e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Orientimet më të rëndësishme janë vendosur në dy raportet e OSBE/ODIHR-it, kështu që orientimet janë aty. Për një punë të mirë, për rezultatet të shpresojmë në fillimin e vitit të ardhshëm. OSBE/ODIHR-i janë të gatshëm për të dhënë ndihmën e tyre. E rëndësishme është që ata të flasin dhe të ndërtojnë besim tek njëri-tjetri.”

Dy ekspertët e përzgjedhur nga Komisioni për Reformën Zgjedhore janë Oerd Bylykbashi dhe Blend Çuçi. Afati i punës së këtij Komisioni është tre muaj që nga koha e nisjes së tij./tvklan.al