28 korrik 2026 – Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se ekonomia shqiptare ka vijuar trajektoren e rritjes dhe konsolidimit gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.

Ai bëri të ditur se Shqipëria shënoi një rritje ekonomike prej 3.7% në tremujorin e parë, më të lartë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.

Sipas Malajt, parashikimi është që ekonomia të rritet me 4% deri në fund të vitit, ndërsa PBB-ja pritet të arrijë në 29 miliardë euro gjatë vitit 2026 dhe 35 miliardë euro deri në fund të mandatit.

“Dua të ndaj me ju rezultatet e gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Ky gjashtëmujor konfirmon se ecuria e ekonomisë shqiptare vijoji të ecë në një trajektore të qëndrueshme rritjeje ekonomike dhe konsolidimi. Të dhënat paraprake tregojnë për një rritje të ndjeshme të të ardhurave, kemi një rritje të shpenzimeve publike, kemi përmirësim sa i përket formalizmit të ekonomisë dhe vazhdimit të trendit pozitiv sa i takon punësimit.

Shqipëria gjatë tremujorit të parë të 2026, ka shënuar një rritje prej 3.7 % më e larta sesa mesatarja e Ballkanit Perëndimor, por dhe e BE-së. Kemi një rritje ekonomike, e cila në fakt, sipas parashikimeve të financave do ketë deri në fund të vitit një rritje prej 4%, ku padyshim sektorët me kontributin më të madh janë sektori i shërbimeve dhe sektori i investimeve, qofshin këto private apo publike. Parashikimi ynë është që deri në vitin 2026, PPB-ja të arrijë në 29 miliardë euro, dhe pritshmëritë tona deri në fund të mandatit të shkojë në 35 miliardë euro“, tha ai.

Ministri i Financave deklaroi se të ardhurat totale të buxhetit gjatë periudhës janar-qershor 2026 arritën në 410 miliardë lekë.

Sipas tij, realizimi ishte 105% e planit të periudhës, ose 44.5 miliardë lekë më shumë në terma monetarë, krahasur me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

“Për sa i përket ecurisë së buxhetit, të ardhurat totale të realizuara gjatë periudhës janar-qershor 2026, arritën në masën 410 miliardë lekë, me realizmin 105 % të planit të periudhës ose e përkthyer ndryshe në terma monetarë, 44.5 miliardë lekë më shumë“, theksoi Malaj.

Gjatë konferencë me mediat, Malaj u pyet edhe për çmimet e reja të referencave mbi pronat në bashkitë e vendit.

Ai tha se është ngritur një grup ndërinstitucional për këtë proces, por nuk dha afate se kur mund të bëhen publike çmimet e reja të referencave.

“Duke qenë se është një grup pune ndërinstitucional dhe vetë kompleksiteti i punës është i tillë që kërkon kohë unë nuk mund t’u jap një datë se kur mund të ndodhë kjo ekzaktësisht, por një gjë është e sigurt që ne do ta përmbyllim këtë proces dhe duam ta përmbyllim këtë proces në mënyrën më korrekte të mundshme, në mënyrë që mos të ketë kontestime si në nivel vendor ashtu edhe në nivel qendror sa i takon çmimeve të reja, që do përcaktohen në të gjithë territorin e Shqipërisë”, tha ai.

Beja: Sistemi në dogana do ketë bazë inteligjencën artificiale

Në konferencë ishte prezent edhe kreu i Doganave, Besmir Beja, i cili u shpreh se sistemi i doganave do përfarohet me atë të Bashkimit Europian, ndërsa paralajmëroi dhe një risi tjetër, që lidhet me përdorimin e inteligjencës artificiale.

“Sistemi i ri i doganës shqiptare do jetë i përfaruar me ato të BE-së, pra do ketë një teknologji shumë të ndryshme nga ajo që përdoret aktualisht. Siç e kam thënë, do jetë një sistem që do ketë në bazë inteligjencën artificiale“, theksoi ai.

/tvklan.al