Qeveria shqiptare ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.

Për zëvendëskryeministrin Ilir Meta, ky proces kaloi përmes një sërë sfidash, të cilat u realizuan brenda një viti , që sikundër tha ai, një rol pozitiv kanë dhe të rinjtë.

Këtë deklaratë numri 2 i qeverisë e bëri gjatë Konventës së Lëvizjes Rinore për Integrim, ku vlerësoi në mënyrë të veçantë këtë organizatë si më të fuqishmen me kontributet që ajo ka dhënë për një Shqipëri evropiane.

Ilir Meta: “Pas një viti sfidash, vështirësish, pengesash dhe standardesh që duhet të arriheshin, ne të gjithë jemi krenarë, sepse sot Shqipëria i ka plotësuar të gjitha standardet për heqjen e vizave, në mënyrë që të gjithë shqiptarët të kenë mundësinë ta prekin Evropën.”

Gjatë fjalës së mbajtur në Konventën e LRI-së, Meta u ndal edhe tek zgjedhjet lokale të 2011, duke deklaruar se Lëvizja Socialiste për Integrim synon të arrijë rezultate spektakolare.

Ilir Meta: “Kemi nevojë për të shumëfishuar një lëvizje rinore për integrim, e cila është plotësisht e aftë të luajë një rol vendimtar, në mënyrë që Lëvizja Socialiste për Integrim në zgjedhjet e ardhshme vendore të arrijë një rezultat spektakolar në dobi të të gjithë komuniteteve anë e mbanë Shqipërisë.”

Në Konventën e LRI-së, ku morën pjesë qindra të rinj nga Tirana dhe rrethet e vendit, përshëndeti   dhe deputeti më i ri që iu bashkua grupit parlamentar të LSI-së, Vangjel Tavo./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

/tvklan.al