Prifti: Asgjë gati! Çomo: Disponojmë gjithçka

Edvin Prifti, shef i shërbimit të kardiokirurgjisë në qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ nuk i kursyee rezervat kur flitet për masat e marra nga autoritetet shëndetësore për koronavirusin.

Në një koment të gjatë të bërë në rrjetet sociale, ai thekson se në spitalet tona ka mangësi në aparatura si në çështjen e diagnostikimit, karantinën dhe trajtimin. Prifti thotë se në laboratorin e mikrobiologjisë në spitalin infektiv mungojnë kitet e koronavirusit, sepse koncesioni nuk e parashikon duke bërë të pamundur diagnostikimin në QSUT.

Sa i takon karantinës, mjeku i njohur thotë se nuk dihet ku dhe në ç’kushte është. Sipas tij, ajo nuk ka pse të mbahet sekret dhe se duhet treguar e demonstruar për të qetësuar qytetarët. Mbajtjen e saj sekrete, ai e quan absurditet të panevojshëm.

“Edhe Kina tregonte në detaje kushtet e karantinave”, thotë Prifti, i cili ngre si shqetësim edhe çështjen e trajtimit. Ai thotë se të sëmurët me koronavirus kanë nevojë për oksigjenim artificial, por në Shqipëri janë vetëm 14 pajisje të tilla, përfshirë edhe ato private që do të thotë se vetëm kaq pacientë mund të përballohen. Ai thotë se pas epidemisë së H1N1 është kërkuar një aparaturë e veçantë për të mbajtur në jetë pacientët, por ajo nuk erdhi asnjëherë.

Shefit të kardiokirurgjisë i është përgjigjur Najada Çomo, që drejton spitalin infektiv në QSUT. Kjo e fundit thotë se në strukturën e saj janë të gatshme dhomat e izolimit, pavionet me bokse me oksigjen dhe njësi terapie intensive me standarde bashkëkohore. Çomo thotë se ekzaminimet bëhen në laboratorin e ISHP-së dhe se specialistët e sëmundjeve infektive dalin garant për përballimin e situatës.

Tv Klan