Qeveria e Kosovës ka publikuar sot listën e 10 përfaqësuesve të parë të Kosovës në botë. Kjo listë pritet të dërgohet në presidencë, në mënyrë që më pas presidenti Fatmir Sejdiu, zyrtarisht t’i shpallë ambasadorët e parë të Kosovës.

Përfaqësuesit e parë të Kosovës në botë do të jenë në Uashinmgton: Avni Spahiu, në Nju Jork Sulejman Gashi, në Paris Muhamedin Kullashi, në Londër Muhamed Hamiti, në Berlin Vilson Mirdita, në Romë Albert Prengaj, në Bruksel Ilir Dugolli, në Ankara Bekim Sejdiu, në Vjenë Sabri Kiçmari, në Bernë Naim Mala dhe në Tiranë Gazment Pula. 

Skënder Hyseni: “Kosova për herë të parë në historinë e vet përballet me një proces të tillë dhe unë mendoj që është korrektësi, s’është modesti është korrektësi të thuhet që është proces të cilit Kosova i është qasur me kujdesin më të madh.”

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se lista përfundimtare e përfaqësuesve të parë të Kosovës në botë dëshmon se institucionet e Prishtinës kanë kaluar partitë, duke propozuar intelektual të dëshmuar.

Hashim Thaçi: “I gjithë ky proces ka rrjedhur si rezultat i një konsultimi të gjerë të shumanshëm duke respektuar gjithmonë interesi i vendit dhe tejkalimi i aspiratave partiake, për zgjedhjen e njerëzve që me të vërtetë, realisht në mënyrë shumë të dinjitetshme do ta përfaqësojnë shtetin e Kosovës.”

Ndërkaq pas mbledhjes së qeverisë zëvendës kryeministri Hajredin Kuqi, ka deklaruar se publikimi i këtyre emrave dëshmon gatishëmrinë e institucioneve të Prishtinës për një përfaqësim të denjë të Kosovës në botë.

Hajredin Kuqi: “Unë duhet të them që prej 10, 8 prej tyre janë mësimdhënës në universitete, njerëz me përgatitje profesionale, njerëz që nuk identifikohen me fanatizëm partiak, po identifikohen më të mirën e vendit, me përfaqësimin e interesave të vendit në arenën ndërkombëtare.”/tvklan.al