Qeveria Kurti e mori vendimin e papritur për t’i njohur pronësinë e tokës Manastirit të Deçanit në mënyrë që Kosova të mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Këtë e ka deklaruar ministrja e Drejtësisë kosovare, Albulena Haxhiu.
Albulena Haxhiu (Ministre e Drejtësisë së Kosovës): Për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, siç e ka thënë edhe kryeministri, na është kërkuar që Kosova ta zbatojë një vendim të padrejtë të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016. Duke pasur parasysh rëndësinë e anëtarësimit për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, kemi konsideruar që duhet të adresohet tutje.
Pas këtij vendimi të Kurtit, Komiteti Politik i Këshillit të Evropës do të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme më 27 mars në Paris për aplikimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e kësaj organizate.
Në këtë takim do të paraqesë opinionin e saj raportuesja e Këshillit të Evropës për Kosovën Dora Bakojanis.
Kandidatura e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është pranuar që të hyjë në procedurë në 24 prill të vitit të kaluar. Në atë kohë, kandidaturën e Kosovës e përkrahën 33 nga gjithsej 46 shtetet anëtare të KiE-së. Shtatë vende ishin kundër, pesë abstenuan, ndërsa vetëm shtet anëtar një nuk votoi.
Ndër kushtet që ka kërkuar më parë raportuesja Bakojanis, përveç zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit, është edhe themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, si edhe çështja e shpronësimeve të tokave në komunat me shumicë serbe.
Raporti i Bakojanis do të diskutohet dhe votohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ku edhe Shqipëria ka delegacionin e saj parlamentar. Në këtë asamble e cila e ka mbledhjen e rradhës më 15-19 Prill do të duhen 2/3 e votave e 306 anëtarëve që ajo ka gjithsej për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KiE.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 