Kosova do të ndërpresë tregtinë energjetike me Serbinë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë ku theksoi se ky vendim vjen si përgjigje ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare për tregtim nga ana e Serbisë.

“Së pari, do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe, si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në të ardhmen, nëse nuk ka reflektim”, tha Kurti.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka shpjeguar se bllokimi i linjave të transmetimit nga Serbia ka nisur që nga viti 2020 duke i bërë të pamundur kalimin energjisë tranzit.

“Ne nuk e duam lirimin e linjave me Serbinë për shkak se dëshirojmë të importojmë energji elektrike nga Serbia, mirëpo bllokimi i linjave nga Serbia do të thotë që ato janë të pashfrytëzueshme për ne për tranzit”, tha Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli.

Ministrja ka sqaruar se vendimi përfshin jo vetëm kompanitë serbe, por edhe kompanitë që kanë kompani amë serbe, aksionarë apo lidhje të drejtpërdrejta ose të tërthorta me shtetas serbë.

Ndërkohë për partitë opozitare vendimi i sotëm dëshmon se Kosova ka blerë energji nga Serbia, pavarësisht se një gjë e tillë është mohuar nga qeveria.

/tvklan.al