Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të tretat brenda rreth një viti e gjysmë, pasi partitë kryesore nuk kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Albin Kurti, dhe dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, kanë mbetur të ndara edhe pas një oferte të fundit të Kurtit për të shmangur zgjedhjet.

Sipas Kushtetutës, presidenti i ri duhet të zgjidhet deri më 28 prill. Nëse kjo nuk ndodh, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

LVV i kishte propozuar PDK-së dhe LDK-së që të paraqesin së bashku tre kandidatë jopartiakë për president, duke u zotuar se do të tërhiqte kandidatët e saj aktualë nga gara. Partia kërkonte që kandidatët të ishin figura unifikuese, jashtë politikës aktive.

Megjithatë, oferta u refuzua nga opozita. PDK e quajti atë të pasinqertë dhe tha se çështja e presidentit është e mbyllur për ta. LDK e konsideroi propozimin si manovër politike dhe kërkoi negociata direkte, duke propozuar edhe mundësinë e rikandidimit të Vjosa Osmanit, nëse sigurohen votat e nevojshme.

Analistja Donika Emini vlerësoi se oferta e LVV-së nuk përbën një kompromis të mirëfilltë, por një lëvizje taktike që vendos presion mbi opozitën dhe e paraqet atë si përgjegjëse në rast dështimi.

Ajo theksoi se LVV nuk ka dhënë garanci se kandidatët e propozuar nga opozita do të votohen në Kuvend, por vetëm se do të lejohen të kandidojnë.

Bisedimet mes palëve kanë dështuar disa herë më parë. Kurti i kishte ofruar opozitës poste në qeveri dhe në Kuvend, por ato janë refuzuar nga PDK dhe LDK, të cilat e akuzojnë atë për përpjekje për të kontrolluar institucionet kryesore të vendit.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me 80 vota në dy raundet e para, ose me 61 vota në raundin e tretë, por kërkohet prania e 80 deputetëve në sallë që votimi të jetë i vlefshëm. Asnjë parti nuk i ka këto numra në Kuvendin me 120 ulëse, duke e bërë të domosdoshme marrëveshjen politike.

Aktualisht, pas përfundimit të mandatit të presidentes Vjosa Osmani, detyrën e ushtrueses së presidentit po e mban kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Nëse deri më 28 prill nuk arrihet marrëveshje për presidentin, Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat do të ishin të tretat brenda një periudhe shumë të shkurtër./Marrë nga REL

/tvklan.al