Kur mbeten edhe vetëm pesë ditë për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, partitë janë larg konsensusit. Lëvizja Vetëvendosje në pushtet thotë se duhet të shmangen zgjedhjet e reja dhe për krizën fajëson opozitën.

“Kuvendit nuk i duhen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës. Prandaj, është e rëndësishme që palët të reflektojnë. Kushdo që mendon se nëse shkojmë në zgjedhje do të ndryshojë diçka nga ky rezultat e ka gabim”, tha Albulena Haxhiu.

Por sipas opozitës, zgjedhjet e reja po i provokon vetë partia e Albin Kurtit që nuk ofron zgjidhje për situatën.

“Ne jemi duke shkuar në zgjedhje, por jemi duke shkuar në zgjedhje sepse partia më e madhe nuk po prodhon një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit”, tha Jehona Lushaku-Sadriu, shefe e Grupit Parlamentar të LDK.

“Asnjëherë, prej kur ka filluar diskutimi për president, nuk ka pasur konsultim serioz. Nuk ka pasur qëllim me ardhur deri te një president i cili ka tipare unifikuese dhe konsensuale”, u shpreh Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK. 

Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit është 28 prilli dhe pas kësaj vendi duhet të shkojë sërish në zgjedhje.

Tv Klan

/tvklan.al