Kosova e nis mbrëmjen e sotme aventurën në Divizionin B të Ligës së Kombeve në një moment delikat kundër Irlandës, me përgatitjet e “Dardanëve” të tronditura nga largimi i kapitenit Amir Rrahmani nga futbolli ndërkombëtar.

32-vjeçari, i cili ka mbajtur shiritin e kapitenit për shtatë vite, i dha fund angazhimit me përfaqësuesen pas një mosmarrëveshjeje me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Situata shkaktoi shqetësim edhe për mundësinë e largimeve të tjera, por trajneri Franco Foda i hodhi poshtë këto spekulime.

“Na presin ndeshje të vështira dhe dihet që në këtë grup Austria është favorite. Ne si Kombëtare kemi shumë qëllime të larta. Në radhë të parë dëshirojmë të mbesim në Ligën B. Pastaj, nëse paraqitemi mirë, të vazhdojmë dhe të ngrihemi. Kapiteni do të jetë Vedat Muriqi”, tha trajneri i Kosovës, Franco Foda.

Pavarësisht zhvillimeve jashtë fushës, Kosova vjen pas një periudhe me rezultate të rëndësishme.

“Dardanët” kanë arritur renditjen më të lartë të tyre në historinë e FIFA-s, në vendin e 78-të, ndërsa kanë luajtur edhe në finalen e parë të një faze kualifikuese për Kupën e Botës.

Në dhjetë ndeshjet e fundit zyrtare në shtëpi, Kosova ka pësuar vetëm një humbje, ndaj Turqisë, ndërsa ka regjistruar shtatë fitore dhe dy barazime.

Përfaqësuesja dardane synon të shfrytëzojë avantazhin e “Fadil Vokrrit” dhe ta nisë me rezultat pozitiv aventurën në Ligën B, ndërsa Irlanda kërkon të thyejë problemet në transfertë dhe të marrë pikët në sfidën e parë të ciklit të ri.

Klan News

/tvklan.al