02 tetor 2026- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur shkurtimisht për mediat pas takimit që zhvilloi sot pasdite me kryeministrin Albin Kurti.

Ai u shpreh se në takim është biseduar për procesin në Hagë, për procedimin e projektligjit në Kuvend për ndryshimin e Ligjit për Specialen dhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit.  

“Biseduam për situatën aktuale politike që ka të bëjë me procesin në Hagë, me nevojën që ligji të  procedohet dhe aprovohet në Kuvend, dhe tema zgjedhja e presidentit”, tha Hamza.

Ai tha se për PDK-në, “është nevojë dhe domosdoshmëri aprovimi i ligjit për Specialen dhe pastaj ne jemi të hapur të diskutojmë për presidentin”.

Ndër të tjera, Hamza u shpreh se deri më tani nuk ka marrëveshje me Kurtin për temat e biseduara.

“Nuk ka marrëveshje deri më tani për temat për të cilat kemi biseduar. Është e mundshme që kemi takime edhe ditëve në vijim”, pohoi kreu i PDK-së.

Në një aktgjykim të 23 shtatorit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës sqaroi se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, nga dita kur u konstituua Kuvendi, dhe përfundon më 6 tetor.

/tvklan.al