Përfaqësues të vendeve të Evropës Juglindore janë mbledhur në Tiranë me qëllim krijimin e një rrjeti të autizmit për këtë rajon.
Në Evropën Juglindore llogaritet se 1.5 milionë e popullsisë vuan nga çrregullime të spektrit autik, një fenomen që po bëhet gjithnjë e më shqetësues sipas Presidentes së Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë, Liri Berisha në cilësinë e një prej organizatorëve të këtij takimi rajonal.
Ky fondacion shënon dhe përpjekjen e parë në Shqipëri në trajtimin e fëmijëve autikë falë ngritjes së qendrës “Fluturo për jetën”.
Liri Berisha: “Kërkesa për shërbimin tonë ka bërë që ne shumë shpejt të rrisim kapacitetin e ambienteve aktuale dhe tashmë jemi në mes të ngritjes të një qendre kërkimore, diagnostikuese, ndërhyrëse dhe trajnuese për autizmin. Ne po përpiqemi që kjo qendër të përfundojë sa më shpejt. Do donim në 2 Prill që është Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit për Autizmin dhe masta epidemike të autizmit janë të frikshme. Është koha për ne që të veprojmë tani. Të bashkojmë fuqitë që kemi për vendet tona. Të tregojmë aftësi drejtuese, jo vetëm në Evropë, por në të gjithë botën.”
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, gjithashtu në cilësinë e organizatorit të tryezës, e konsideroi takimin një mision për të përmirësuar jetën e fëmijëve dhe të rriturve autikë në Evropën Juglindore.
Petrit Vasili: “Prania juaj dhe e të gjithëve bashkë ne tregon që nuk janë thjeshtë dhe vetëm numrat, por është vullneti dhe dëshira ajo që bën për të demonstruar. Kemi kapacitetin për të bërë ndryshime mjaft të mëdha për komunitetet tona që luftojnë përditë me sfidat e autizmit. Autizmi flet, ne duhet patjetër që ta dëgjojmë atë.”
Si mbështetës i përhershëm i trajtimit të këtij fenomeni shqetësues, kryetari i qeverisë Sali Berisha tha se shoqëria shqiptare duhet të përballet me të në mënyrën më serioze.
Sali Berisha: “Qeveria do të bëjë çdo gjë që fëmijët e tyre të mund të kenë mbështetjen e plotë për trajtimin e tyre. Dhe ky është një trajtim afatgjatë. Profesor i shquar Edmond Tukja ka shkruajtur një kryevepër, nga eksperienca e tij personale. Por pjesa e këtij libri, thirrja e tij se çdo të bëhet me fëmijën tim pas meje është mesazhi më i fuqishëm. U ndala te ky shembull për të theksuar se kjo çështje kërkon një trajtim shumë më agresiv. Është e domosdoshme kjo çështje të ketë zërin e vet në buxhetin e shëndetësisë, të Shqipërisë dhe çdo vendi.”
Ky është takimi i parë rajonal në këtë drejtim i mbështetur gjithashtu dhe nga Autism Speaks me qendër në New York.
Falë tij do të ndërmerren iniciativa të përbashkëta në drejtim të rritjes së ndërgjegjësimit, trajtimit profesional, studimit epidemiologjik, ofrimit të shërbimeve shëndetësore si dhe zhvillimit të dokumenteve strategjike kombëtare e rajonale, mbi çrregullimet e spektrit autik./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi
/tvklan.al












Botërori 2026 