Si u zbardhën ngjarjet e rënda në Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë

Prej 27 Prillit fashat orare të lëvizjes së qytetarëve ndryshuan duke sjellë më shumë liri në qarkullim, por kjo e riktheu ngjarjet e rënda në rrugët e vendit.

Që në fillim të javës, Lezha dhe Durrësi do të tronditeshin nga breshëritë e kallashnikovit ku do të humbnin jetën 4 persona brenda pak orësh.

Kolë Murrani dhe Preng Simoni u ekzekutuan në fshatin Lalm-Lukaj. Zona ku ndodhi krimi ishte pothuajse e pabanuar duke vështirësuar punën e policisë për identifikim e autorit.

Por pa kaluar 24 orë  nga krimi i dyfishtë, blutë e Lezhës vunë në pranga 49-vjeçarin Aleksandër Përdoda. Në sajë të provave të mbledhura rezultoi se objektivi ishte rapsodi i njohur Kolë Murrani dhe shkak për vrasjen ishte një konflikt pronësie.

Një tjetër ngjarje e rëndë tronditi vendin. Në Durrës dy të rinj u ekzekutuan në një atentat të mirëorganizuar në Shënavlash. Vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia u ekzekutuan me mbi 50 plumba në një pritë.

Katër ditë nga ngjarja policia njoftoi se u vunë në pranga si autorë të dyshuar 33-vjeçari Altin Ndoci dhe miku i tij Klevis Alla 22 vjeç. Po kështu u zbardh edhe një tjetër ngjarje e fillimit të Marsit ku u ekzekutuan dy të rinj të tjerë në Durrës dhe policia akuzon Allën dhe Ndocin si autorë. Hetuesit kanë dyshime se të rinjtë janë ekzekutuar për prishjen e pazareve të drogës.

Javën që lamë pas krimi tronditi edhe Vlorën e Shkodrën. Pasditen e 28 Prillit u plagos me armë zjarri një 50-vjeçar në Shkodër. Një ditë më vonë u vu në pranga autori i dyshuar Bardh Isufi. Sipas policisë konflikti ndodhi për shkaqe pronësie.

Edhe sherri  mes dy fqinjëve në lagjen 11 Janari në Vlorë, shkaktoi një viktimë. 60- vjeçari Bujar Mehmetaj u qëllua me sende të forta nga komshiu i tij. Policia tha se ka identifikuar autorin, duke shpallur në kërkim Jurgen Licin.

Në Tiranë ne fshatin Qinam një familje u terrorizua nga persona të maskuar që nën kërcënimin e armëve grabitën një shumë parash. 24 orë më pas policia arrestoi tre të rinj si autorë të dyshuar, duke sekuestruar armët e krimit dhe makinën me të cilën u larguan.

Tv Klan