Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer operacion në disa qytete të vendit pasi janë firmosur 30 urdhërarreste pas deklarimeve të të penduarve të drejtësisë, si dhe bazuar në komunikimet në Sky Ecc.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton se operacioni është vazhdim i “Plumbit të artë”, pasi janë zbardhur disa vrasje të ndodhura në disa qytete të vendit, përfshirë edhe Elbasanin. Sipas asaj që raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci, janë zbardhur 6 ngjarje kriminale.

Ndërkohë mes personave që janë firmosur urdhërarreste, ka edhe efektivë të policisë dhe ish-zyrtarë të drejtësisë. Sipas të njëjtave burime, masë sigurie “arrest shtëpie” është caktuar edhe ndaj ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu.

Gazetarja Daci ka mësuar se Pajtime Fetahu rezulton të jetë personi, e cila ka falsifikuar një dokument dhe një vendim gjyqësor. Ajo gjithashtu ka një lidhje familjare me vëllezërit Çopja të Elbasanit pasi njëri nga vëllezërit është i martuar me vajzën e kësaj të fundit.

Në kuadër të operacionit të SPAK, për lidhje me grupet kriminale në Elbasan është arrestuar edhe zv.drejtori i burgut, Bradashesh, Martin Musaj. Pasi ka rënë në pranga, Musaj është shkarkuar nga detyra e zv.drejtorit të burgut.

Akoma nuk ka njoftim zyrtar nga SPAK lidhur me operacionin, ndërsa informacione më shumë priten në vijim.


EMRAT E PERSONAVE NDAJ TË CILËVE ËSHTË CAKTUAR URDHËRARREST:

  1. Talo Çela
  2. Altin Kamami
  3. Rexhino Doci
  4. Arben Lamcja
  5. Arsen Mema
  6. Eljo Bitri
  7. Leam Rragami
  8. Elvis Daka alias Dragoviç
  9. Dorjan Dyli
  10. Matilda Hoxholli
  11. Denada Todi
  12. Flobenc Mecja
  13. Armis Stafa
  14. Maksim Koci
  15. Erzen Çopja
  16. Franc Çopja
  17. Hajdar Bako alias Çopja
  18. Mikael Qosja
  19. Maetin Musaj
  20. Guri Biba
  21. Pajtime Fetahu
  22. Renato Masuku
  23. Leonardo Rragami,
  24. Altin Ndoci
  25. Agustin Cinari
  26. Xhimi Hoxha
  27. Klodian Sinameta

MASAKRA E BRADASHESHIT – DHJETOR 2018

Tre persona kanë mbetur të vrarë në një atentat të përgjakshëm në Dhjetor 2018 në Elbasan. Ngjarja ndodhi në zonën e Bradasheshit pranë Metalurgjikut, ku persona të paidentifikuar kanë hapur zjarr në drejtim të një automjeti ku ndodheshin viktimat.

Nga breshëritë e plumbave humbi jetën Indrit Alibej 34-vjeç dhe Arben Dylgjeri 25-vjeç, si dhe një shtetas rumun me pasaportë turke, me iniciale E.K. Shqiptarët e vrarë janë të afërm me njëri-tjetrin, xhaxha dhe nip. Edhe shtetasi rumun besohet se është i afërm i bashkëshortes së Alibejt, për të cilin thuhej se ishte i martuar me një rumune dhe jeton me të në Holandë.

Objektiv i atentatit dyshohet se ka qenë pikërisht Alibej. Pista kryesore e hetimit është ajo e prishjes së pazareve të drogës, pasi Indrit Alibej figuron me precedentë të mëparshëm penalë. Ai ka qenë i arrestuar për trafik droge në Itali në 2013-ën.

Viktimat kanë qenë duke darkuar në një nga restorantet e zonës dhe u është ngritur pritë sapo kanë hipur në një makinë me targa italiane. Automjeti ku ishin viktimat humbi kontrollin pasi u qëllua dhe doli nga rruga. Policia thotë se autorët kanë qenë disa dhe janë larguar me një makinë në drejtim të Peqinit.


VRASJA E ELVIS KAPLLANIT – SHTATOR 2020

I ekzekutuar me 14 plumba në Shtator të 2020-ës, Klevis Kapllani, dyshohet se u nxorr në pritë për shkak të ngjarjeve kriminale në Elbasan.

Klevis Kapllani doli për të konsumuar një kafe mbrëmjen e së hënës dhe i tha familjes që nuk do vonohej shumë. Dyshohet se ai është telefonuar nga të njohur të tij, të cilët më pas kanë bashkëpunuar për ekzekutimin me një kallashnikov me silenciator.

Para vrasjes së Kapllanit, në Elbasan u vranë Emiljano Ramazani dhe Denis Runaj. Gjithashtu Klevis Kapllani ka qenë i dënuar për trafik droge në Itali, dhe hetimet kanë vijuar edhe në këtë pistë. Asokohe, familja e tij shprehej se nuk kishin dijeni për konflikte.


ATENTAT VËLLEZËRVE BAHO – KORRIK 2019

24-vjeçari Klevi Baho, mbeti i i vrarë në një atentat të tipit mafioz në Korrik 2019 në Elbasan. Ai po kthehej bashkë me të vëllain në shtëpi kur makina me të cilën udhëtonin u qëllua me breshëri automatiku pranë fshatit Broshkë në rrugën Elbasan-Peqin.

Autorët që mendohet se kanë qenë dy persona, u kishin zënë pritë dy vëllezërve duke hapur zjarr nga një tjetër automjet. Nga të shtënat, i plagosur mbeti vëllai i viktimës, 29-vjeçari Sandër Baho.

Ky i fundit mori tre plumba në shpatull, por pas ndihmës së parë është jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje u gjetën 35 gëzhoja kallashnikovi me të cilën autorët qëlluan ndaj dy vëllezërve. Policia dyshon se shkak i atentatit të ketë qenë larja e hesapeve.


/tvklan.al