Inter nuk heq dorë nga Moussa Diaby dhe fati i këtij operacioni varet i gjithi nga Kristjan Asllani.

Sipas asaj që raportohet nga mediat arabe, klubi zikaltër kërkon të forcojë repartin ofensiv dhe mesfushori shqiptar mund të jetë pjesë e marrëveshjes.

Trajneri Cristian Chivu ka kërkuar përforcime në repartin e krahëve, duke e konsideruar atë si një nga prioritetet e skuadrës.

Pas dështimit të disa objektivave të mëparshëm, drejtuesit Beppe Marotta dhe Piero Ausilio kanë rikthyer në fokus Diabyn, një emër që ishte diskutuar edhe gjatë merkatos së janarit.

Interi i ka paraqitur Al-Ittihad një ofertë që përfshin 18 milionë euro plus kartonin e Asllanit, i cili vlerësohet mes 10 dhe 15 milionë eurove.

Mesfushori shqiptar nuk konsiderohet më pjesë e planeve të zikaltërve dhe prej kohësh agjentët e tij po punojnë për t’i gjetur një destinacion të ri.

Megjithatë, pengesa kryesore për finalizimin e operacionit mbetet paga e lartë e Moussa Diabyt në Arabinë Saudite.

Francezi ka kontratë me Al-Ittihad deri në verën e vitit 2029 dhe për t’u rikthyer në Europë do të duhet të pranojë një ulje të ndjeshme të përfitimeve financiare, me Interin që nuk është i gatshëm të shkojë përtej kufirit prej 4-5 milionë eurosh në sezon.

Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të kuptuar nëse palët do të arrijnë një kompromis, ndërsa e ardhmja e Kristjan Asllanit duket gjithnjë e më larg Milanos.

Hull City ka shfaqur interes për shërbimet e 24-vjeçarit.

Klan News

/tvklan.al