Ka marrë fund aventura e Vladimir Petković në stolin e kombëtares së Algjerisë.
Pas më shumë se një muaji pasigurie, palët kanë arritur një marrëveshje për ndërprerjen me mirëkuptim të kontratës, kjo ndikuar edhe nga dështimi në Kupën e Botës 2026.
Sipas mediave algjeriane Petković ka pranuar ndarjen pas bisedimeve përfundimtare me drejtuesit e Federatës.
Trajneri, i cili pritej të rikthehej në Algjeri për të rifilluar punën, nuk u paraqit dhe një nga arsyet kryesore të prishjes së marrëdhënies ishte refuzimi i Petkovićit për të pranuar kushtet e reja të Federatës, të cilat përfshinin largimin e stafit të tij teknik dhe detyrimin për të kaluar të paktën tre javë në muaj në Algjeri.
Marrëveshja e ndërprerjes parashikon që ai të përfitojë pagën e tre muajve, me një vlerë prej rreth 480 mijë eurosh, si dhe bonuset e mbetura për t’u shlyer.
Bashkë me të largohet edhe i gjithë stafi teknik. Ironikisht, vetëm më 7 qershor Federata kishte njoftuar zgjatjen e kontratës së Petkovićit edhe për dy sezone të tjera, por marrëveshja e re nuk arriti kurrë të hynte në fuqi.
Vendimi vjen pas një Botërori zhgënjyes për Algjerinë, e cila u eliminua pas humbjes 2-0 ndaj Zvicrës në fazën me eliminim direkt.
Petković mori drejtimin e Algjerisë në mars të vitit 2024 dhe gjatë drejtimit të tij regjistroi 23 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje në 33 ndeshje.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
