Kryeministri grek Andonis Samaras ka deklaruar se vendit të tij i nevojitet më tepër kohë për të përmbushur detyrimet financiare dhe jo më tepër para. Në një intervistë për mediat gjermane, Samaras ripërsëriti edhe një herë angazhimin e vendit të tij për përmbushjen e të gjitha detyrimeve për të cilat qeveritë e mëparshme të vendit kanë rënë dakord me Bashkimin Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në këmbim të ndihmave financiare. Por sipas tij Greqia ka nevojë për një hapësirë kohore për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë vendase, në mënyrë që të shqyrtohet edhe mundësia e kursimit të 11.5 miliardë euro në shpenzimet publike.
Për këtë ai do t’i paraqesë kreut të Eurogrupit Jean Claude Juncker gjatë takimit në Athinë, paketën e re te masave shtrënguese prej 14 miliardë euro, me qëllim përfitimin e një afati shtesë prej dy vitesh për plotësimin e reformave. Takimi me Juncker i paraprin vizitës së tij në Berlin dhe Paris në fundjave. Autoritetet gjermane shprehen se nuk do të bëjnë asnjë lëshim për të zbutur kushtet për Athinën.
Nga e gjithë kjo situatë, duket se më të prekurit janë të rinjtë, për të cilët tashmë ekziston një dilemë kryesore për të ardhmen e tyre, të luftojnë për mbijetesë në vendlindjen apo ta braktisin atë duke emigruar jashtë vendit. Sipas statistikave të Eurostat, papunësia në vend arrin në mbi 22%. Mbi 50% e të papunëve janë të moshave nën 26 vjeç, ku pjesën më të madhe të tyre e përbëjnë moshat nga 15 deri në 19 vjeç. /tvklan.al












Botërori 2026 