Kryetari i bashkisë së Shkodrës Benet Beci ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi këtë të hënë, në ambientet e Gjykatës së Apelit Tiranë.

“I tronditur nga lajmi i ndarjes tragjike nga jeta të gjyqtarit Astrit Kalaja, bir i Shkodrës dhe profesionist i përkushtuar, me një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor shqiptar. I diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1993, ai e nisi rrugëtimin e tij si gjyqtar në qytetin e lindjes, për të vijuar më pas si anëtar i Gjykatës së Apelit dhe i Kolegjit Zgjedhor. Në çdo detyrë që mbajti, u veçua për integritetin, përkushtimin dhe seriozitetin me të cilin i shërbeu drejtësisë. Ngushëllime të sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të tij.”, shkruan Beci.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur këtë të hënë, 6 tetor, rreth orës 15:40, kur Gjykata e Apelit Tiranë u kthye në skenë krimi, pasi menjëherë pas përfundimit të një seance gjyqësore u qëllua për vdekje gjyqtari i njohur Astrit Kalaja, ndërsa u plagosën edhe dy persona të tjerë, babë e bir (palë në proces gjyqësor).

Autori është Elvis Shkambi, rreth 30 vjeç, i cili ishte palë në një proces gjyqësor për një çështje pronësie në qytetin e Shkodrës, për të cilën dyshohet se gjykatësi e ka dhënë verdiktin sot, jo në favor të tij. Ai është arrestuar nga Policia, ndërsa është sekuestruar edhe arma e krimit.

/tvklan.al