Kryeministri Sali Berisha foli në mbledhjen e qeverisë mbi përpjekjet antikorrupsion nisur nga raporti i TIA, i cili rendit Shqipërinë të 87 nga 178 vende të përfshira në indeksin global të perceptimit të korrupsionit. Thënë ndryshe Shqipëria pozicionohet në këtë raport, 8 vende më lart se një vit më parë. Kryeministri listoi disa prej arsyeve që sollën këtë zhvillim pozitiv për vendin.
Sali Berisha: “Lufta kundër korrupsionit është rezultante e reformave të thella dhe të gjithanshme. Është rezultante e qeverisë së vogël, është rezultante e krijimit të task-forcës së luftës kundër korrupsionit, të cilët shkruajtën me kompetencë një kapitull të ri në këtë luftë dhe kaluan nga mos dënimi në dënim. Ky sukses që përbën një përgënjeshtrim total të shpifjes dhe trillimit, të atyre që ndërtojnë alternativën e tyre mbi mashtrimin, nuk duhet aspak të na qetësojë, veçse duhet të na inkurajojë për të kapur stacion tjetër të ri.”
Zoti Berisha ju referua dhe raportit të BB “Doing Business”, raport që rendit vendin tonë të 176 përsa i takon transparencës së procedurave në shpërndarjen e lejeve të ndërtimit. Këtu kryeministri sulmoi kryetarin e bashkisë Tiranë duke theksuar se modeli i tij i 20 % është vënë nën shënjestrën ndërkombëtare të transparencës.
Sali Berisha: “Në këto klasifikime në të zi, si zifti, procedura e leje të ndërtimit, Shqipëria në shkallaren e turpit qëndron e 176 për lejet e ndërtimit. Sepse praktikat e tyre në bashkinë e Tiranë dhe në disa bashki të tjera janë më korruptivet, jo në Ballkan, por në botë. E kuptoni ju se si 35 katëshet dhe 20 % duken nga gjithë bota tani. Se kjo botë është transparente dhe vërtetë aty kërcet 20% tek lepuri, por shqiptarët bllokohen. Në qoftë se nuk do të jetë 20% i lepurit dhe lepujve, Shqipëria të paktën do të ishte ngjitur edhe 30 shkallë të tjera.”
Referuar të njëjtit argument, zoti Berisha i bëri sërish apel kryetarit të PS të lejojë grupin e tij parlamentar t’i bashkohet iniciativës për heqjen e imunitetit, si një barrierë për përpjekjet antikorrupsion.
Këtu kryeministri kujtoi dhe një marrëveshje të qeverisë të vitit 2004 me Grekon, grupin e shteteve kundër korrupsionit një organizëm i KiE.
Sali Berisha: “Pika kryesore e kësaj marrëveshje është heqja e imuniteteve në tërësi. Për fatin e keq ne kemi gjetur murin e opozitës , e kreut të opozitës, i cili vetëm pak javë më parë do të deklaronte se s’ka vlerë imuniteti se unë jam pa imunitet, dhe ja ku jam. Nuk personalizohen gjërat, standardet kanë të bëjnë me praktika të përgjithshme. Ndaj dhe njëherë shfrytëzoj rastin ti bëj thirrje zotit Rama, kryetarit të PS, të pranojë heqjen e imuniteteve si një akt përgjegjësie dhe ndaj qytetarit të thjeshtë shqiptar, por edhe në emër të atij parimi të barazisë para ligjit.”
Mbledhjen e qeverisë kryeministri e përfundoi duke u kërkuar anëtarëve të kabinetit angazhim të posaçëm për përpjekjet antikorrupsion duke synuar siç tha mbërritjen e 20 vendeve të para në klasifikimin botëror të luftës kundër këtij fenomeni./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi
Operator: Petrit Xhaferri
/tvklan.al












Botërori 2026 