Në një përpjekje të pashembull për të mbrojtur euron dhe parandaluar përhapjen e krizës së Greqisë Bashkimi Europian ka miratuar një paketë prej 750 miliard eurosh që do të shërbejë si një mekanizëm mbështetjeje për vendet e bllokut, në rast emergjence  sidomos në rrezik falimentimi.

Marrëveshja më e madhe e shpëtimit e hartuar ndonjëherë në eurozonë u arrit pas një mbledhjeje të Ministrave të Financave Bruksel që zgjati plot 11 orë. 440 miliard euro do të jepen nga vendet anëtare, 60 miliardë nga Komisioni Europian dhe pjesa tjetër nga fondi monetar  ndërkombëtar.

E në fakt ky mekanizëm duket se e shuajti përkohësisht ankthin që mbërtheu tregjet  financiare lidhur me pamundësinë e vendeve europiane  për të paguar borxhet. Reagimi në bursat aziatike dhe ato europiane ishte shumë pozitiv.

Euro pësoi menjëherë një rritje euforike duke u këmbyer me 1.30 dollarë. Ndërsa të premten këmbehej me 1.27. I njëjti efekt ndodhi dhe te kuotimi i naftës që u shit me 77 dollarë për fuçi./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle

/tvklan.al