Kryeministri Sali Berisha beson në integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”, kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar se anëtarësimi mund të ndodhë shumë më shpejt se është menduar. I pyetur për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për mundësinë e ndërtimit të ndonjë baze të aleancës në Shqipëri, kryeministri Berisha ka deklaruar se vendi është i gatshëm të bëjë gjithçka që kërkon ajo.

Një tjetër çështje e prekur në këtë intervistë ishte ajo e emigrantëve shqiptar në Itali ku kreu i qeverisë shqiptare ka kërkuar që atyre që janë pajisur me dokumente të rregullta t’u jepet statusi i minoritetit me qëllim që ata të gëzojnë më tepër të drejta. Shefi i qeverisë shqiptare ka folur edhe për çështjen e ndërtimit të një centrali bërthamorë, duke thënë se pas arritjes së një marrëveshje me vendet fqinje veçanërisht me Italinë, Shqipëria duhet të financojë së bashku me qeverinë italiane ndërtimin e këtij impianti. Edhe nëse kjo nuk do të jetë e mundur atëherë do t’i kërkohet sektorit privat për të studiuar tregun ballkanik dhe atë italian, ka nënvizuar kryeministri, duke siguruar se koha dhe vendi për ndërtimin e centralit nuk janë caktuar ende.

Berisha foli dhe për çështjen e akuzave të “New York Times” për  tragjedinë e Gërdecit dhe akuzat e Carla Del Pontes, ishin 2 çështje të prekura në këtë intervistë. Ndërsa i pyetur nëse do të rikandidonte në zgjedhjet e ardhshme pas 18 vjetësh në politikën aktive, kryeministri Berisha është përgjigjur, se atij i pëlqen të shikojë drejt së ardhmes dhe se vetëm perëndia dhe vota e popullit mund ta pengonin për të qenë pjesë e kësaj politike./tvklan.al