25 shtator 2026 – Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, u ngjit sot në foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ku adresoi qëndrimin pro përdorimit të mëtejshëm të Inteligjencës Artificiale në shërbim të qëllimeve njerëzore.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se “Rreziku më i madh do të jetë që Inteligjenca Artificiale do t’i bindet njeriut më të gabuar”. Njerëzimi është i aftë të ndërtojë një Inteligjencë artificiale që mëson e bindet, që i vjen në ndihmë njerëzimit, por në fund nuk ka ndërgjegje e ndjenja.

Rama në OKB, propozon marrëveshje botërore për Inteligjencën Artificiale

Kryeministri tha se do të jetë njeriu që do të përcaktojë të vërtetën për të ardhmen e se ky shekull nuk do t’i përkasë një makinerie. Në këtë rrafsh, Rama propozoi një sjellje unifikuese ndërkombëtare mes shteteve ndaj diktimit të përdorimit të AI me transparencë dhe llogaridhënie. Kryeministri është poziciuar pro presidentit të SHBA-ve Donald Trump në debatin global për Inteligjencën artificiale. Amerika mbron tezën se AI sjell evolucionin.

“Presidenti i SHBA-ve ka të drejtë, nuk duhet të ndalemi, por të përshpejtojmë, na duhet një Inteligjencë Artificiale transparente. Një Inteligjencë më e mirë Artificiale që mbetet e mirë në duart e atyre që janë llogaridhënës. Çdo vend duhet të jetë i aftë që të mbrojë gjuhën e vet, të ruajë të dhëna dhe të informojë qytetarët e vet”, tha Rama.

“U fabrikua një narrativë për ‘pushtimin izraelit’ të bregdetit shqiptar, protestë kundër një fantazme”

Si shembull për ndikimin negativ në shoqëri, Rama mori protestat që po zhvillohen në Tiranë. Një fabrikim i narrativës “pushtim izraelit i bregdetit shqiptar” nxiti protestat ndërsa algoritmi stimuloi urrejtjen. Sipas Ramës, qytetarët përpos arsyeve reale, nisën të protestonin dhe kundër një armiku fantazmë, të ndikuar thellë nga algoritmi.

“Ju i keni ndjekur ose keni mësuar për të ashtuquajturin revolucion të flamingove. Narrativa e trilluar e një pushimi izraelit të një bregdeti shqiptar që kurrë nuk ndodhi. U fabrikua e u përcoll përmes kanaleve që shqiptarët i besonin. Trillime të ndryshme hynë në botë të ndryshme, të gjitha në shërbim të së njëjtës gënjeshtër. Pasojat ishin reale, qytetarët kishin arsye të drejta për të protestuar, por befasi nisën të protestonin kundër një armiku fantazëm.

Algoritmi nuk e ndezi urrejtjen, por zbuloi sesi të aktivizonte urrejtjen tonë. Ky është mashtrim sistematik si shërbim. Ndërhyrjet në zgjedhje nuk kërkojnë më një stacion televiziv apo një copë propagandë, mund të veprojnë me vendosmërinë e secilit prej votuesve. Demokracia nuk humbet vetëm një debat apo thjesht një radhë zgjedhjesh, por terrenin e përbashkët mbi të cilin bëhet i mundur debati dhe humb dhe mundësinë për ta pasur”, tha Rama.

Qeveria shqiptare është e para në botë që i ka bërë vend në kabinet një ministre të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, Diella. Rama u shpreh se ky realizim nuk kishte për qëllim dorëzimin e sovranitetit te makineria, por për të afruar qytetarët me shërbimet dhe për të rritur nivelin e llogaridhënies të një shteti.

“Shqipëria u bë vendi i parë që solli një instrument të AI në arkitekturën e qeverisjes përmes Diellës. Ministrja jonë e njohur botërisht e AI dhe nuk e bëmë për të transferuar sovranitetin nga njerëzit te makina, por për t’i bërë shërbimet më të aksesueshme dhe shtetin më llogaridhënës. Pas çdo vendimi me ndikim publik duhet të mbetet një mandat ligjor e një emër që mund të thirret për t’u përgjigjur. Shtesa e dytë është ajo që mund të bëjë AI. AI brenda një shteti llogaridhënës mund të reduktojë distancën mes qytetarëve dhe shërbimeve.

Rama: AI nuk do të vendosë nëse ky shekull i përket lirisë, ne do ta vendosim

Në fund të fjalimit, kreu i qeverisë tha se Inteligjenca Artificiale nuk mund të shndërrohet në luftë mes saj dhe njerëzimit, por duhet t’i shërbejë një qëllimi të përbashkët, lirisë, përgjegjësisë dhe evolimit.

“Gënjeshtra nuk duan t’ia dinë për mure, algoritmet i kapërcejnë kufijtë pa pasur nevojë për pasaportë e pa frikën e ndonjë qeverie. Ata që sulmojnë vendet tona, bashkëpunojnë përtej juridiksioneve. Vendet tona, demokracitë, duhet të mësojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Nuk është një garë midis njerëzimit dhe makinave, është midis qëllimeve të ndryshme njerëzore, secili që amplifikohet nga makinat. Ata që e përdorin AI për të ndriçuar dhe atyre e përdorin për të ndjellë terr, ata që pranojnë përgjegjësi dhe atyre që fshihen pas automatizimit, nuk duhet të trembësi që makinat të bëhen njerëzore, por që njerëzit të bëhen të padukshëm pas makinave.

Le të sigurohemi që asnjë qytetar të mos lihet i vetëm përballë një ushtrie më tmerruese algoritmi, që asnjë komb i vogël të mos detyrohet të huazojë normalitetin përtej kufijve. AI nuk do të vendosë nëse ky shekull i përket lirisë, ne do ta vendosim. Makina do të bindet, pyetja është kujt do t’i bindet. Sipas cilit ligj dhe në shërbim të cilit ligj. Ne kemi zgjedhur përshtatjen dhe jo dorëzimin, kemi zgjedhur rritjen e jo atrofizimin e aftësisë njerëzore, kemi zgjedhur lirinë e shprehjes”, tha Rama.

/tvklan.al