18 shtator 2026, Tiranë – Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve dhe Forumi i Grave Gjyqtare kanë dalë me një qëndrim të përbashkët për çështjen e pagave të magjistratëve.

Katër organizatat bëjnë të ditur se do të vijojnë ndjekjen e procesit kushtetues dhe se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ligjin e ri që ndryshon dispozitat për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në deklaratën e përbashkët, shoqatat kundërshtojnë mënyrën se si është ndjekur procedura parlamentare për miratimin e ligjit. Sipas tyre, gjatë procesit janë shkelur kërkesa kushtetuese, ndërsa përmendin miratimin e projektligjit përtej afatit kushtetues, mungesën e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave dhe konsultimin, që sipas tyre, nuk ka qenë efektiv.

Ata kundërshtojnë gjithashtu hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit.

Shoqatat njoftojnë se në Gjykatën Kushtetuese do të kërkojnë pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes.

Sipas tyre, ndryshimet cenojnë statusin financiar të magjistratëve dhe, për rrjedhojë, lidhen edhe me garantimin e pavarësisë së tyre. Shoqatat pretendojnë gjithashtu se ligji nuk respekton një vendim të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo çështje nuk ka të bëjë me interesa financiare”, theksojnë shoqatat në deklaratën e përbashkët, duke kundërshtuar mënyrën se si, sipas tyre, është paraqitur debati në opinionin publik. Ata argumentojnë se çështja lidhet me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pavarësinë e organeve të drejtësisë dhe mbrojtjen e shtetit të së drejtës.


Çështja e pagave të magjistratëve ka shkaktuar debat të fortë muajin e fundit mes institucioneve të drejtësisë dhe qeverisë. Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për një tryezë të përbashkët pune mes përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor dhe institucioneve përgjegjëse, me qëllim diskutimin e sistemit të pagave të magjistratëve.