Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryeministri shqiptar Fatos Nano uroi për ditën e parë të shkollës, 1600 nxënësit shkodranë në shkollat e mesme “Jordn Misja” dhe “Oso Kuka”. Përzgjedhja e qytetit verior larg Tiranës zyrtare u justifikua nga kreu i qeverisë me faktin, se Shkodra ka qenë një qendër e rëndësishme e arsimit, dijes dhe kulturës në Shqipëri.

Këto gjimnaze janë rikonstruktuar nga biznesmenët në bazë të nismës së 14 Korrikut në Burrel, ku nën kujdesin e kryeministrit Fatos Nano, 100 kompani private dhe shtetërore garantuan rikonstruksionin e 100 shkollave në veri të vendit. Në rolin e prindit dhe mësuesit, Fatos Nano nuk kurseu recetat e përvojës për konkurrencën që i pret maturantët me të dalë në jetë.

Kryeministri Fatos Nano:- “Nuk ikën askush vullnetarisht, duhet ta konkurroni që t’i zini vendin, apo që të zini vendin tuaj në këtë shoqëri të hapur.

Në shkollën 8-vjeçare “Branko Kadia”, kryeministri shpërndau 100 Abetaret e para me autografin e tij për fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Këtë vit tekstet shkollore janë për herë të parë falas për arsimin e detyrueshëm.

Në takimin me biznesmenët, drejtues të ekonomisë, tatimeve dhe KESH, përveç kryeministrit, i janë përgjigjur kërkesave të prodhuesve vendas, duke premtuar heqjen e tvsh për kompanitë që eksportojnë, 24 orë energji elektrike për biznesin pas muajit Nëntor, si dhe pajisjen me matësa në qytetin e Shkodrës. Kryeministri Nano u shpreh kundër lidhjes politik-biznes për qëllime interesash.

Kryeministri Fatos Nano:- “Ju nuk keni për t’i lënë politikanët t’ju ngatërrojnë, të vendosin ata për fatet tuaja, sepse mijëra punonjës që keni angazhuar, apo miliona që keni investuar, nuk mund të merren më qafë nga njerëz inkompetentë, apo të papërgjegjshëm”.

Kryeministri Nano premtoi 200 vende të reja pune në tatime, sepse së shpejti kjo drejtori do të kontrollojë shlyerjen e Sigurimeve Shoqërore nga kompanitë private. Në Shkodër ardhja e kreut të mazhorancës, shënoi dhe rritjen e anëtarësisë së PS./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj