Kryeministri Edi Rama ndodhet në Paris në Forumin e Paqes sonte më 10 nëntor.

Kreu i qeverisë zhvilloi një bashkëbisedim kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian dhe të ardhmes së brezit të ri.

Rama komentoi protestat në Tiranë. Kreu i qeverisë deklaroi se dhuna në tubime është e papranueshme. Kryeministri u shpreh se ka dhe arsye për reflektuar.

“Për protestën, desha të them se dhuna nuk është e pranueshme. Është e faktuar se Irani dhe shtete të huaja kanë interesa të caktuara për trazira. Është komplekse ajo që ka ndodhur. Ka dhe njerëz të sjellë aty nga krimi i organizuar. Por pa diskutim, ka dhe arsye për të dëgjuar. Ne kemi dëgjuar zërat që kanë ardhur nga protestat, teksa kemi bërë disa ndryshime të rëndësishme në qeverisje”, tha Rama.

Në lidhje me integrimin, kreu i qeverisë nënvizoi se kjo është një ëndërr e kahershme e Shqipërisë. Sipas Ramës, pavarësisht dallimeve dhe protestave, të gjithë në Shqipëri e duan BE-në.

“Shqipëria ka një histori krejt të veçantë edhe nga shtetet pranë saj. Nuk ishim pjesë e Jugosllavisë. Ne ishim edhe me Kinën. Kemi qenë Koreja e Veriut e Europës. Kur dolëm nga diktatura, ne dolëm optimistë për integrimin në BE. Bashkimi Europian për ne është hapësirë e madhe lirie.

Nuk ka aspak dyshim, që pavarësisht konflikteve të brendshme apo protestave, të gjithë ne, biem dakord që Europa është destinacioni ynë i përbashkët. Ne nuk kemi alternativë tjetër dhe as e kërkojmë një të tillë. Jemi europianët më të mirë që mund të gjeni në Europë”, u shpreh Rama.

/tvklan.al