Kryeministri Edi Rama ka njoftuar qytetarët sot më 2 nëntor se ministrja Diella do ndihmojë tashmë këdo që ka vështirësi në përdorimin e portalit e-Albania.

Rama e ilustroi këtë, duke publikuar videon e një gjyshi, i cili ndihmohet nga ministrja Diella, që nga gjetja e shërbimit e deri tek plotësimi i formularëve.

Kreu i qeverisë thekson se 19 shërbime tashmë janë më të lehta që të përdoren nga ana e qytetarëve. Kryeministri shprehet se hyrja në e-Albania tanimë bëhet edhe përmes njohjes së fytyrës ose përmes gjurmës së gishtit, pas aktivizimit.

“Të dashur prindër dhe gjyshër, tani mjafton t’i flisni Diellës dhe ajo ju ndihmon hap pas hapi, nga gjetja e shërbimit te plotësimi i formularëve e-Albania

19 shërbime tashmë më të lehta për t’u përdorur, ndërsa hyrja në e-Albania mundësohet edhe përmes Face ID ose gjurmës së gishtit, pas aktivizimit

Ndiqni udhëzimet në video dhe shikoni sa e thjeshtë është”, shkruan Rama.

Kryeministri Edi Rama prezantoi më 31 tetor zhvillimet në shërbimet digjitale përmes platformës e-Albania, duke u ndalur konkretisht te risitë që sjell “Diella”.

Kryeministri theksoi se jemi në fazën që ka premtuar më herët, ndërsa shtoi se “Diella” kalon në një pozicion më aktiv ku i bën vetë gjërat.

“Pra tani jemi në fazën që kemi premtuar që Diella kalon në një pozicion shumë aktiv dhe i bën vetë gati gjërat, ndërkohë që mjafton kërkesa dhe të presësh pak minuta, maksimumi pak minuta, që të vijë gjithë shërbimi”, u shpreh kryeministri Rama.

Konkretisht janë 19 shërbime, të cilat gjenerohen vetëm me një komandë zanore.

“Diella është vetëm një klik larg, kurse 19 shërbime gjenerohen vetëm me një komandë zanore, pa asnjë lloj pyetje apo përgjigje“, shpjegoi Drejtori për inteligjencën Artificiale Enio Kaso.