27 shtator 2026 – Sapo shkeli në tokën shqiptare, i kthyer nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e zhvilluar në New York, kryeministri Edi Rama kritikoi drejtësinë shqiptare për menaxhimin e informacioneve lidhur me hetimin që po zhvillohet për ish – kreun e SHISH Vlora Hyseni.

Nga zyra e konferencave në Aeroportin e Rinasit, kreu i qeverisë tha se rrjedhja e materialeve hetimore për Vlora Hysenin çoi në ekspozimin e një prej institucioneve kyç të sigurisë kombëtare drejt një dëmi që duhet të ishte parandaluar.

“Sistemi i drejtësisë ekspozoi SHISH ndaj rrezikut”

Rama tha se urdhri i GJKKO-së për të parandaluar publikimin e materialeve, ishte i vonuar dhe pa asnjë sukses duke e lëshuar Shërbimin Informativ Shtetëror në target thashethemesh.

“Ishte pa diskutim një masë ekstreme, por të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni kyç për shtetin. Gjatë marrjes së masës dhe administrimit të dosjes, një institucion u ekspozua ndaj potencialit për një dëm të madh që duhej të ishte parandaluar. U lejua që të dhënat e dosjes të vërshonin nëpër kanale dhe tezga mediatike përpara se gjykata të urdhëronte kufizimin e publikimit të tyre, pa asnjë sukses.

Ky nuk është problem i një pushteti të pavarur, është i krejt shtetit. Prandaj, kjo qasje e lëshuar si pa kujdes i ka lënë pa fjalë edhe partnerët tanë. Nuk është me siguri hera e parë që shefi i një shërbimi sekret merret i pandehur, por është hera e parë në historinë e botës që institucioni i SHISH bëhet target ndërkombëtar e kombëtar thashethemesh, për shkak të mosmarrjes së asnjë prej atyre masave që shtetet marrin në një rast të tillë”, tha Rama.

“Masa për Vlora Hysesin ekstreme… E ka llogarinë personale me drejtësinë”

Kreu i qeverisë e konsideroi masën e sigurisë për Vlora Hysenin si “ekstreme”, por refuzoi të bënte komente të mëtejshme për përmbajtjen e hetimeve.

“Ishte pa diskutim një masë ekstreme po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni shumë kyç. Unë s’kam të drejtën të ndërhyj në përmbajtjen e dosjes dhe çfarë e ka çuar gjykatën ta bëjë. S’e kam bërë më parë dhe as nuk do ta bëj”, tha Rama.

Rama dënoi “gjyqin publik” të bërë ndaj Vlora Hysenit ndërsa theksoi se llogaria e saj me drejtësinë është personale dhe se Prokuroria Speciale duhet të hetojë e provojë akuzat.

“Prokuroria ka të drejtën të hetojë, gjykata ka të drejtën të gjykojë, media të zbulojë informacion, por askush nuk ka të drejtë ta shpallë tjetrin fajtor përpara gjykimit dhe, jo më pastaj, ta dehumanizojë botërisht. Për sa më takon, kur një zyrtar i lartë i ka hapur vetes një llogari me drejtësinë, dhe kjo e ish-drejtuese së SHISH është çështje individuale mes saj dhe drejtësisë”, tha Rama.

“Emërimi i Vlora Hysenit në krye të SHISH, nga referenca të shkëlqyera nga partnerët”

Rama tha se emërimi i Vlora Hysenit në krye të SHISH u mbështet në referencat e shkëlqyera të shërbimeve partnere. Ai shtoi se Hyseni i ka hapur vetes një hesap të vështirë me drejtësisë e ka një borxh moral të madh me Shqipërinë.

“Orvatjet për ta shpjeguar emrërimin e Vlora Hyseniy në krye të SHISH-it me lloj-lloj fantazish konspirative s’kanë lidhje me të vërtetën. E vërteta është e thjeshtë. Ka nisur të punojë pranë meje në rolin e këshilltares. Pas një periudhe jo të shkurtër në atë rol, si edhe bazuar në referenca të shkëlqyera të marra nga shërbime partnere, ajo është emëruar drejtuese e SHISH-it. As nuk vihet sot në diskutim se ish-drejtuesja e SHISH-it ka hapur një llogari të vështirë me drejtësinë, veçse ka hyrë në një borxh të madh moral në këtë vend”, tha Rama.

Dorëheqje? Rama: S’ka bir nëne që të ketë një provë kundër meje

Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë thashethemet për dorëzim të pushtetit. Drejtuar qytetarëve, Rama tha se nuk asnjë provë e asnjë njeri që ta implikojë në paligjshmëri apo korrupsion në dëm të shtetit dhe qytetarëve.

“Një provë të vetme që një bir nëne të ketë një qindarkë të tijën në thesarin tim apo në të ardhurat e familjes tonë, nuk e nxjerrin dot kurrë. S’ka lindur akoma ai lloj fenomeni. Nuk jam engjëll, as i pagabueshëm, por faji që me siguri nuk kam bërë kurrë është që të tregtoj për para apo për prona pushtetin që shqiptarëve ua kam kërkuar për të rilindur Tiranën dhe pastaj Shqipërinë. Pushteti im nuk është përdorur kurrë për të dhënë favore të fshehta apo për të marrë dhurata të paligjshme.

Jam për të lënë emrin, jo për të fryrë xhepin. Jam për të bërë histori, jo për të vënë pasuri. Unë, PS-ja dhe shumica e shqiptarëve i hymë detit në këmbë dhe morëm përsipër reformën më të thellë, reformën e reformave, përmbysjen e të gjitha përmbysjeve, aktin e dorëzimit të shpatës së drejtësisë nga duart e pushtetit politik në duart e pushtetit të ri. E bëra unë atë dorëzim, jo se isha naiv, as se nuk e dija se ajo shpatë do të kërkonte koka në radhët tona, por ishte e imja barra e asaj sakrifice të madhe politike për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Shqipërisë së fëmijëve tanë”, tha Rama.

Pas zhvillimeve të fundit, Presidenti i republikës Bajram Begaj do të mbledhë ditën e nesërme Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Tashmë kompetencat e Vlora Hysenit i janë deleguar Elvis Lilës.

/tvklan.al