27 korrik 2026- Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrat e kabinetit qeveritar, ka zhvilluar një takim me efektivët e shërbimit zjarrfikës dhe trupat e Emergjencave Civile, në kuadër të përgatitjeve për përballimin e situatës së zjarreve gjatë sezonit veror.


Nga shpërblimi, te rinovimi i flotës zjarrfikëse/ Ministri Lamallari tregon masat e marra kundër zjarreve

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, gjatë fjalës së tij deklaroi se çdo verë përbën një sfidë të re për strukturat e emergjencave dhe se janë marrë një sërë masash për përballimin e situatës.

“Çdo verë është një sprovë e re. Janë marrë masa konkrete në të gjithë territorin e vendit, janë kryer mijëra inspektime teknike dhe janë organizuar takime ndërgjegjësuese”, u shpreh Lamallari.

Ai bëri me dije se janë ashpërsuar edhe masat ndëshkuese për personat që shkaktojnë zjarre, me dënime që sipas tij mund të shkojnë deri në 15 vite burg. Ministri njoftoi gjithashtu për investime të reja në shërbimin zjarrfikës, duke e cilësuar si një nga paketat më të mëdha të viteve të fundit.

“Po planifikojmë investimin më të madh të viteve të fundit për rinovimin e flotës së zjarrfikësve. Plot 130 mjete të reja zjarrfikëse do të financohen nga buxheti i shtetit”, deklaroi Lamallari.

Sipas tij, janë ndërtuar edhe katër stacione të reja zjarrfikëse në Prrenjas, Mat, Patos dhe Mirditë, me synim forcimin e kapaciteteve në terren.

Lamallari bëri të ditur gjithashtu se përmes aktit normativ të vitit 2026 janë shtuar 227 milionë lekë për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit. Këto fonde, sipas ministrit, do të shërbejnë edhe për përmirësimin e trajtimit financiar të efektivëve që punojnë jashtë orarit, gjatë natës, në festa zyrtare dhe në ditë pushimi.

Takimi vjen në një kohë kur pritet rritje e ndjeshme e temperaturave, duke shtuar edhe rrezikun për përhapjen e vatrave të zjarrit në zona të ndryshme të vendit.


Zjarret, Rama: Solidaritet me Francën dhe Spanjën

Kryeministri Edi Rama shprehu solidaritet me Francën dhe Spanjën, të cilat prej ditësh luftojnë me pasojat katastrofike të zjarreve. Ai u shpreh se Shqipëria është gati të japë kontributin e saj modest në kuadër të Bashkëpunimit Europian të Mbrojtjes Civile.

“Dua ta nis këtë fjalë, duke kujtuar që teksa ne, jemi këtu të mbledhur në këtë hangar të helikopterëve, nw Francë dhe në Spanjë mbi 320 mijë njerëz i kanë lënë shtëpitë e tyre deri mbrëmë dhe vetëm në orët e fundit 55 mijë banorë janë evakuuar nga zona përreth Bordosë (Bordeaux) ku flakët kanë hyrë deri nëpër lagjet e periferisë.Në Spanjë 60 mijë njerëz kanë ikur nga zjarri në Sierra Oeste që thuhet se është zjarri më i rëndë që ka njohur ndonjëherë Madridi në historinë e vet dhe vetëm në Francë, vetëm në territorin e Gironde hektarët e djegur kanë kaluar shifrën 200 mijë. Një sipërfaqe – sa për të krijuar një ide – më e madhe sesa bashkia e Tiranës. Koleget tuaj francezë dhe spanjollë janë në një front ferri prej ditësh. Jam i bindur që i keni parë, të nxjerrë nga blozat, shtrirë përtokë buzë rrugës, me kokat e mbështetura mbi helmeta, në pamje të paimagjinueshme të sakrificës njerëzore në shërbim të jetës dhe të natyrës.

Dhe po ashtu, unë jam i bindur, që askush nga ju, që i jeni përkushtuar këtij profesioni, nuk i shikon ata si të huaj dhe nuk i sheh ato lajme si lajme nga bota sepse ajo është pamja e një lufte të përbashkët, në një klimë të përbashkët gjatë sezonit të një vere të përbashkët. Dhe kur sheh qindra mijëra njerëz që ikin të lemerisur me çfarë iu gjendet mundësia të marrin nëpër duar, është njësoj sikur të shohësh njerëzit tanë për shkak se rreziku dhe sfida është e njëjtë. Prandaj unë dua që edhe me lejen tuaj nga kjo sallë t’ju përcjell një shprehje solidariteti të gjithë kolegeve tuaj në Francë dhe në Spanjë. Ne e kemi bërë dhe në të shkuarën falë jush dhe jemi gati ta bëjmë përsëri nëse na kërkohet të japim ndihmën tonë modeste në kuadër të bashkëpunimit evropian të mbrojtjes civile dhe të përgjigjemi në rast se na kërkohet siç jemi përgjigjur edhe vjet, edhe parvjet, edhe më parë kur fqinjët tanë kanë qenë në hall të madh dhe siç na janë përgjigjur edhe miqtë europianë, edhe fqinjët tanë kur ne kemi qenë në të njëjtin hall. Sepse zjarri nuk njeh kufi siç e dini ju më mirë, por edhe solidariteti i njerëzve që luftojnë kundër zjarrit nuk njeh kufij”, tha Rama.


Masat për zjarret/ Rama: Marrim tre avionë të rinj në fund të vitit

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se Shqipëria është përgatitur për të përballuar sfidën që sjellin zjarret.

Ai theksoi se deri në fund të vitit, flotës së helikopterëve do t’i shtohen edhe tre helikopterë të rinj dhe se procedura për marrjen e tyre, tashmë ka përfunduar.

“Dhe ky sezon do jetë një provë për çfarë jemi përpjekur të përmirësojmë, çfarë jemi përpjekur për të patur një performancë më të madhe dhe çfarë jemi përpjekur të organizojmë për të qenë një trup i vetëm pavarësisht se në këtë ushtrim bashkohen trupa të ndryshme nga pushteti qendror te pushteti vendor, këtu janë dhe një pjesë e kryetarëve të bashkive, nga Forcat e Armatosura te Policia e Shtetit, tek Emergjencat Civile dhe patjetër tek Shërbimet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, qoftë në qendër, qoftë në territor. Dhe kjo provë kërkon përgatitje dhe sa më pak improvizim, kërkon disiplinë, kërkon koordinim dhe patjetër dhe investim të pandërprerë. Dhe ne këtë kemi bërë, jemi përpjekur. E reja e këtij viti, është që ministri i shtetit për pushtetin vendor, i cili vjen nga eksperienca e bashkisë dhe një eksperiencë për hir të së vërtetës nga më të suksesshmet edhe në këtë drejtim, ka luajtur rolin e koordinuesit të të gjithë këtyre forcave, në ndërkohë që kemi sot në dispozicion kapacitetet teknologjike më të mëdha që kemi pasur ndonjëherë, me katër helikopterë të gatshëm, të cilët, në çdo moment nevoje, mund të bëhen gjashtë, sepse helikopterët operacionalë janë nëntë, por kanë edhe misione të tjera, si misionet e shpëtimit, si misionet për shëndetin. Ndërkohë që, kemi mbyllur procedurën për tre avionë, të cilët do të vijnë në fund të vitit, por në ndërkohë dhe do të jenë në provën e shtetit shqiptar, kemi një proces të dakordësuar, që, në momentin e një nevoje të veçantë, kemi në dispozicion edhe avionë që vijnë nga pikërisht ajo bazë ku po përgatiten dhe do të bëhen gati avionët e rinj që do të merren në fund të këtij viti, pasi gjithçka ka përfunduar si procedurë“, theksoi Rama.


Rama kërkon pagë shtesë për punojnësit e angazhuar kundër zjarreve

Kreu i qeverisë tha se ka propozuar që punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes, që angazhohen në punën për shuarjen e zjarreve të shpërblehen menjëherë me një pagë ekstra, ndërsa u bëri thirrje të gjithë bashkive të veprojnë njësoj, edhe me forcat e tyre zjarrfikëse.

“Këtë herë unë i kam propozuar qeverisë që të gjitha forcat që i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes dhe do të përfshihen në këtë proces, të shpërblehen menjëherë, jo në fund, me një pagë ekstra. Dhe, në ndërkohë, ju bëj thirrje bashkive që të bëjnë të njëjtën gjë për trupat e tyre në territor dhe ta bëjnë këtë menjëherë, pa pritur që të mbarojë gjithë beteja, sepse ajo pastaj është një pjesë tjetër. Kështu që, duke shprehur të gjitha këto konsiderata të merituara për ju, dua të shpreh edhe një thirrje për të gjithë njerëzit që të bëjnë kujdes. Ne e dimë shumë mirë që zjarret nisin nga gjëra të vogla. Zjarret nisin nga një cigare e hedhur nga makina. Zjarret nisin nga një hi që nuk është shuar pas një pikniku. Zjarret nisin edhe kur askush nuk do që të ndodhë, pa harruar që ato nisin edhe kur ka qëllime të liga apo kur njerëz me çrregullime psikologjike i vënë zjarrin një territori“, tha Rama.

/tvklan.al