Kryeministri Edi Rama ndodhet në Greqi, ku sot do të ketë takim me homologun  e tij grek Kyriakos Mitsotakis. Në fokus të takimit do të jenë marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe çështja e detit, një temë që ka shkaktuar diskutime të shumta gjatë javëve të fundit.

Kryeministri Mitsotakis do të presë në zyrën e tij Kryeministrin Rama sonte në mbrëmje në orën 21:00, sipas orës lokale greke.

Pak kohë më parë, Kryeministri Mitsotakis deklaroi në Parlament se Greqia do të zgjerohet me 12 milje në Detin Jon, dhe për këtë do të nisë bisedimet me palën shqiptare.

Nga ana tjetër, Kryeministri Rama ka përsëritur disa herë se nuk ka asnjë marrëveshje me Greqinë dhe se bisedimet për këtë çështje mbetën pezull që në kohën e Qeverisë Tsipras kur dhe u ndërrua pushteti. Ndër të tjera, Rama ka thënë se zgjerimi me 12 milje në det është një e drejtë ndërkombëtare e çdo shteti dhe aplikohet aty e lejon hapësira fizike.

Për këtë arsye, dy Kryeministrat do të diskutojnë për këtë çështje që është bërë temë diskutimi në të dy anët e kufirit.

Kujtojmë se në vitin 2009 në kohën e qeverisë Berisha, pala shqiptare dhe ajo greke nënshkruan marrëveshje për detin, por u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pas apelimit që bëri Partia Socialiste, në atë kohë në opozitë.  /tvklan.al